Drejtoresha e Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Dr. Rochelle Walensky, tha të mërkurën se agjencia tani rekomandon përdorimin e vaksinës së koronavirusit Pfizer / BioNTech në moshat 12-15 vjeç.
“Sot, unë miratova rekomandimin e Komitetit Këshillues të Praktikave të Imunizimit të CDC-së që mbështeste sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 dhe përdorimin e saj tek adoleshentët 12 deri në 15 vjeç”, tha Dr. Walensky në një deklaratë, shkruan CNN përcjell Gazeta Shneta.
“CDC tani rekomandon që kjo vaksinë të përdoret në mesin e kësaj popullate, dhe ofruesit mund të fillojnë t’i vaksinojnë këtë grup-moshë menjëherë” shtoi ajo.
“Megjithëse shumica e fëmijëve me COVID-19 kanë simptoma të lehta ose pa simptoma, disa fëmijë mund të sëmuren rëndë dhe të kërkojnë shtrimin në spital. Ka pasur gjithashtu raste të rralla, tragjike të fëmijëve që vdesin nga COVID-19 dhe efektet e sëmundjes, duke përfshirë sindromën inflamatore multisistemale tek fëmijët”, shtoi Walensky.
Ky rekomandim zyrtar i CDC ndjek vendimin e së hënës të FDA-së për të autorizuar përdorimin emergjent të kësaj vaksine tek adoleshentët 12 deri në 15 vjeç dhe është një hap tjetër i rëndësishëm për të dalë nga pandemia e COVID-19 dhe më afër normalitetit. /Gazeta Shneta/