Drejtori i Kirurgjisë në QKUK: Gjendja momentale është mizerje

2017-04-06 në ora 09:23

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, e përshkruan gjendjen aktuale si “mizerje”, duke thënë se punohet sikurse para 25-30 viteve

Në dokumentin e përgatitur nga Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së, për kredinë 46 milionë euroshe për blerjen e aparaturave për QKUK-në, janë paraqitur kërkesat e të gjitha klinikave dhe spitaleve.

Klinika e Kirurgjisë Abdominale ka kërkuar pajisje në vlerë 479 mijë euro, të cilat do të shërbenin në Sallat e operacioneve, në Kabinet të Endoskopisë dhe në Kirurgjinë Laparaskopike, shkruan Gazeta Shneta.

Ligashura për intervenime kirurgjike, që do të shkurtonte kohën e operacioneve, anestezionit dhe gjakderdhjes.

Sterilizatori mungon në këtë klinikë dhe sterilizimi sipas përshkrimit në këtë dokument, bëhet me gigasept “që është metodë e tejkaluar në botë”.

Kirurgjia Abdominale po kërkon edhe ultrazë me dy sonda, Rëntgen “C” mobil, Laparoskop, aparaturë të re për endoskopi dhe ERCP, e të tjera.

Në këtë dokument ndër të tjera kërkohet edhe përshkrimi i gjendjes nga drejtori i klinikës. E doktor Rifat Bajrami e ka përshkruar gjendjen me vetëm një fjalë, mizerje.

“Gjendja momentale është mizerje. Punohet si para 25-30 viteve dhe e gjithë puna me pejë e ligatura që në këto kohra janë të tejkaluara”, ka tërhequr vërejtjen Bajrami për gjendjen e klinikës.

Ai shton më tutje se me kërkesat e tij, parashihet përmirësimi i kushteve të punës, shkurtimi i kohës së operacioneve dhe shtimi i tyre, zvogëlimi i materialit shpenzues dhe shfrytëzimi në maksimum i personelit mjekësor në punë. /Gazeta Shneta/