Janë bërë më shumë se dy javë nga vdekja e dyshimtë e tre pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi.
Më shtatë shtator kanë ndërruar jetë tre pacientë në klinikat e QKUK-së, në rrethana ende të pa njohura. Menaxhmenti i SHSKUK-së thotë se janë 2 vdekje të dyshimta, derisa Prokuroria është duke i hetuar tri raste, shkruan Gazeta Shneta.
Deri më tani pista kryesore e hetimeve është gazi oksidul, me të cilin QKUK-ja furnizohej nga kompania “Bubeari Komerc” në Kaçanik, që prodhonte këtë gaz pa licencë.
Prokurori i rastit Valdet Gashi, ka urdhëruar zhvarrosjen e trupave të pacientëve të vdekur dhe pas obduksionit, analizat pritet të dërgohen jashtë vendit.
Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është zotuar se do të ketë shkarkime në QKUK për skandalin e vdekjes së dyshimtë të pacientëve.
“Shkarkime do të ketë, në momentin e parë që do të marrim një lloj fakti, prove, që dikush ka pasur mbikëqyrje, ka pasur ndonjë dokument për ta kontrolluar, s’e ka kontrolluar, ose e ka bërë ndonjë lëshim”, ka thënë Ismaili në KTV.
“Kur je në pozicione publike, unë e kuptoj që ndonjëherë mund të thuash se kam bërë lëshim pa qëllim, mirëpo je në pozicion publik, merr përgjegjësi të lartë, nuk mund ta quash lëshim”, është shprehur Ismaili.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, nuk ka pranuar të marr përgjegjësi për rastin, duke u arsyetuar se nuk punon në sallat e operacionit.
“A punoj unë në sallat e operacionit, a punoj unë me bombola. Unë jam shef i stafit administrativ”, ka deklaruar Gjocaj.
Ndonëse vdekjet kanë ndodhur në sallat e operacionit, të cilat janë nën përgjegjësinë e tij, Gjocaj madje shpreh habinë kur gazetarët e pyesin nëse do të jap dorëheqje.
Pas vdekjes së pacientëve edhe kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me menaxhmentin e SHSKUK-së. Sipas raportimeve, ai ka kërkuar detaje rreth rastit por nuk ka bërë të ditur nëse ka kërkuar edhe dorëheqjen e zyrtarëve.
Prokuroria ka bërë të ditur se po presin rezultatin e autopsisë për të vazhduar tutje me hetimet. /Gazeta Shneta/