Dy gra shtatzëna të sëmura me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive në QKUK.
Gazeta Shneta ka mësuar se njëra prej tyre është e moshës 30-vjeçare dhe është në javën e 27-të të shtatzënisë. Pacientja është intubuar në njësinë intensive në Klinikën Infektive dhe po mbahet nën monitorim nga mjekët.
Lajmin për dy shtatzënat e infektuara me Covid e ka konfirmuar edhe Shpend Fazliu nga Zyra për Media e SHSKUK-së. Ai ka thënë se stafi mjekësor po bën maksimumin për trajtimin e tyre.
“Ju konfirmojmë se dy gra shtatzëna po trajtohen në infektive, njëra me gjendje stabile, përderisa njëra në gjendje më të rënduar në repartin intensiv të klinikës. Stafi shëndetësorë po bën maksimumin e mundshëm për të ju ofruar ndihmën shëndetësore”, ka deklaruar Fazliu.
Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK poashtu janë të shtrira 6 gra shtatzëna të cilat kanë rezultuar pozitive me Covid. Në këtë klinikë para 2 ditësh është kryer një lindje me operacion cezarian tek një grua shtatzënë e cila ishte pozitive. Lindja ka shkuar mirë dhe nëna e beba janë në gjendje të mirë shëndetësore. /Gazeta Shneta/