E tundni fëmijët për ta vënë në gjumë? Në këtë moshë duhet të ndaloni

2017-03-25 në ora 09:12

Shumë fëmijë kanë nevojë të tunden nga nëna apo dikush tjetër para gjumit, në të kundërt nuk do të jenë në gjendje të flenë.

Ka shumë nëna të cilat qëndrojnë nga disa minuta deri në 1-2 orë duke e bërë këtë veprim, duke pyetur veten njëkohësisht se kur duhet t’i japin fund këtij vesi.

Cili është momenti i duhur për të ndaluar?

Para së gjithash duhet të dini se nuk ka të bëjë vetëm me lodhjen fizike që kërkon gjatë tundjes, por edhe me cilësinë e gjumit të fëmijës. Nëse ai do të flej duke u tundur do të zgjohet më shpesh gjatë natës duke kërkuar të flejë sërish në po të njëjtën mënyrë. Në momentin që do të ndaloni së tunduri fëmijën do ta mësoni atë të vetëqetësohet.

Faza e rritjes së fëmijës përkon edhe me “braktisjen” e këtij vesi. Këshillohet që kjo të ndodhë rreth muajit të tretë të jetës, por gjithsesi ky nuk duhet të konsiderohet si një limit i rreptë që duhet të zbatohet me përpikmëri. Disa fëmijë e largojnë më parë këtë dëshirë për t’u tundur dhe disa të tjerë duket se nuk mund të flenë ndryshe edhe pas vitit të parë të jetës. E rëndësishme është të mos e kaloni më shumë seç duhet këtë limit.

Si të ndalojmë?

Si fillim e vendosni fëmijën në djep, krevat apo karrocë pra filloni të mos e tundni më në krahë. E shoqëroi këtë veprim me një ninullë, kjo pasi zëri juaj do t’i japë siguri fëmijës. Nëse fëmija fillon të qajë duhet ta ngushëlloni në një mënyrë tjetër, për shembull duke e përkëdhelur në trup dhe duke mos e lënë të qajë deri në dëshpërim.

Mund t’i mbani lehtë dorën, mund të afroni fytyrën tuaj pranë fytyrës së fëmijës që qëndron në krevat, pra duhet t’i jepni shumë dashuri dhe përkëdhelje të tjera, duke mos e lënë absolutisht të qajë shumë.