Pulmologu Ibrahim Hoti në QKMF-në e Podujevës nuk i ka ofruar shërbim pesë minuta pas orarit një pacienti, e madje sjellja e tij ndaj palës ka qenë mjaft agresive. Për këtë sjellje të tij është suspenduar nga puna dhe është denoncuar në Komisionin Disiplinor.
Rastet kur qytetarët nuk marrin shërbime të duhura shëndetësore dhe në kohë, si dhe trajtimet e vrazhda që iu bëhen nga mjekët nuk janë të pakta në vendin tonë.
Një e tillë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Podujevës ku pulmologu Ibrahim Hoti, dëgjohet në një video teksa nuk iu ofron shërbime qytetarëve.
E tërë kjo me arsyetimin se tashmë është bërë ora 15:05 minuta, ndërsa ai kishte përfunduar orarin në ora 15:00.
Madje ai, nuk i ndalon britmat e tij në raporton me pacientët, veprime të cilat nuk ngjasojnë aspak me ato të një mjeku, i cili humanitetin duhet ta ketë në radhë të parë.
“Nesër o djalë i mirë, nesër, se nuk i punoj dy ndërrime, unë dreq nuk jam këtu. Dje je ardhë qeshtu, ta kam dhanë injeksionin, sot qeshtu, hajdee (…) A t’kam kry shërbime dje e pardje qeshtu mas orarit. Ti mu sill qeshtu me mu. Hajde,” – dëgjohet doktori Hoti teksa i thotë një pacienti të moshuar i cili ishte i shoqëruar me një familjar të tij.
IndeksOnline ka kontaktuar me doktorin Hoti dhe ai e ka pohuar tërë këtë situatë, duke thënë se ai nuk paguhet dhe se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë për të punuar jashtë orarit.
“Po orari shkruan, qajo matematik është, qa me te thanë. Aty nuk ishte vetëm një pacient, vetëm një person”, tha Hoti, derisa në video shihet vetëm edhe një tjetër e moshuar e cila po ashtu nuk arriti të marrë shërbimin mjekësor.
Ai tutje vazhdon të mbroj idenë e tij se pas orarit nuk duhet prit asnjë pacientë, ndonëse njësoj nuk thuhet edhe në betimin që bëjnë mjekët në momentin kur diplomojnë, atë të Hipokratit.
“Unë nuk punoj vetëm një ditë në muaj, ditë për ditë punoj dhe qeshtu. Matematik është e definume, numrat për qata janë, është numri për qeta, qekjo matematikë. Orari bëhet për qata,” – tha Hoti.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Podujevës Driton Veliu, ka njoftuar se mjeku në fjalë është suspenduar nga puna dhe është denoncuar në Komisionin Disiplinor.
“Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet sjellja jo e mirë e një mjeku në QKMF në Podujevë ndaj një pacienti të moshuar, është e papranueshme dhe nuk përkon as me etikën profesionale.
E kuptoj se personeli shëndetësor është lodhur e dërmuar nga situata që po kalojmë në ballafaqimin me COVID-19, kurse gjendjen e bën edhe më të rëndë mungesa e stafit mjekësor në QKMF, pas shkuarjes në specializim të 12 mjekëve. Mirëpo, tërë kjo nuk e arsyeton një sjellje të tillë të mjekut, aq më pak ndaj një pacienti të moshuar.
Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor.
Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai në njoftim. /Gazeta Shneta/