Edhe një rast tjetër me virus të Nilit në QKUK

2018-08-14 në ora 14:29

Instituti Kombëtar i Shëndetit ka konfirmuar në laboratorët e tyre se është detektuar prania e virusit të Nilit Perëndimor tek një pacient tjetër në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut në nivel qendror dhe periferik janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes.

Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshëm të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes.

Virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri, por duhet përcjellë situatën epizootologjike te kafshët me aksent të veçantë te kuajt dhe duhet shikuar mundësinë e hulumtimit aktiv të rasteve gjatë muajve të verës dhe vjeshtës.

Deri tani 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të Nilit Perëndimor në gjithë Evropën brenda një jave, e në Kosovë një person i moshuar me sëmundje kronike të cilit ia ka rënduar gjendjen virusi i Nilit Perëndimor.

IKSHPK-ja thotë se është duke hulumtuar burimet e këtij infeksioni dhe situata është nën kontroll, ndërsa thekson se aktualisht nuk ka vend për panik.

“Nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes këtyre ditëve ku vërehet numër i shtuar i mushkonjave. Nga departamentet komunale kërkohet të bëjnë dezinsektimin në komunat e veta sipas rekomandimeve të OBSH-së. Edhe pse në rreth 80 për qind të rasteve, pacientët e infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë, virusi i Nilit Perëndimor mund të shkaktojë përfundim fatal te njerëzit. Virusi transmetohet te njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat janë të infektuara”, thotë IKSHPK-ja./Gazeta Express/