Qytetarët e Kosovës ende nuk janë të pajisur me sigurime shëndetësore.
Ndonëse, ka pasur deklarata të ndryshme të fillimit të zbatimit të ligjit për sigurime me 2017, ende nuk dihet se kur do të ndodh kjo.
Mirëpo, zyra e komunikimit me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Indeksonline, se Ministri i ri Uran Ismaili, ka filluar planin për sigurimet për qytetarët.
Ndërsa, vendimin për mbledhjen e premiumeve do ta marr Qeveria e Kosovës.
“Ministri, në programin e tij ka specifikuar se për ta mbajtur sistemin shëndetësor funksional, Qeveria do të ndërtojë një sistem sistemit bashkëkohor të financimit, që do të jetë i bazuar në Buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili gjatë mandatit qeverisës do të rritet, në Fondin e Sigurimeve shëndetësore dhe në asistencën që në mënyre aktive do ta kërkohet nga miqtë ndërkombëtar. Në këtë aspekt, Fondi po i zhvillon përgatitjet e veta, duke pasur pranë edhe ekspertë të huaj, ndërkohë që vendimin për fillimin e premiumeve do ta marr Qeveria e Kosovës” thuhet në përgjigjen e tyre.
E ministri Uran Ismaili ka kërkuar nga kryeministri dhe drejtuesit të klinikave që buxheti dhe sigurimet shëndetësore të jenë përgjegjësi e Ministrisë.
“Edhe në takimin e sotëm në QKUK, që Ministri ka pasur me Kryeministrin dhe drejtuesit e klinikave aty, e ka bërë të qartë se buxheti përkatësisht ngritja e tij, Sigurimet Shëndetësore dhe investimet kapitale, do të jenë pjesë e përgjegjësive të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë , ndërkohë që punëtorëve shëndetësor do t’u mbetet që ta rrisin angazhimin e tyre profesional, transparencën dhe llogaridhënien” thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ish-Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati deklaruar se në vitin 2017 do të fillojë zbatimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore.
Ndërsa sa i përket buxhetit për sigurime shëndetësore, llogaritet të jetë rreth 80 milionë, në të cilën përfshihen kontributet nga sektori publik, privat dhe nga kontributi i qytetarëve të cilët paguajnë qytetarët nga 2 euro për çdo anëtar të familjes.