A është e vërtetë se pelenat kanë datë të skadimit?

2017-03-29 në ora 10:41

Nuk e dimë nëse e keni pyetur ndonjëherë veten në lidhje me datën e skadencës së pelenave. A kanë një të tillë këto produkte? Cila është e vërteta që duhet të dimë në lidhje me përdorimin e tyre?

Për të gjitha nënat…

Në treg mund të gjeni lloje të ndryshme bebelinash të ofruara nga marka të ndryshme, shumë, pak ose aspak të njohura nga ju. Por a është e mundur që këto produkte të higjenës së bebes të përdoren për një periudhë të pacaktuar kohore?

Duhet të dini se duke filluar nga bebelinat biologjike të përbëra nga material ekologjik, të cilat sigurisht që janë edhe tepër të kushtueshme, dhe duke vazhduar tek të gjitha markat e tjera më pak të njohur dhe sigurisht që edhe më pak të kushtueshme, të gjitha pa përjashtim kanë një datë të caktuar skadence!

Edhe nëse nuk e keni vënë re më parë, tashmë është koha ta bëni pasi këto produkte nuk mund të përdoren jashtë kësaj kohe të përcaktuar nga kompania prodhuese. Në përgjithësi kjo datë është e ndryshme për paketime të ndryshme duke qënë se i referohet datës në të cilën është bërë mbyllja e paketimit.

Si duhet të veprojmë pasi e kemi hapur paketimin?

Pasi e keni hapur një pako me bebelina ato duhet të përdoren brenda një periudhe 3-vjeçare, pra edhe për këtë ekziston një limit kohor, i cili është relativisht i madh.

Pelenat me aromë

Tek këto bebelina me aromë (zakonisht me përmbajtje aloe vera ose kremi), duhet të kontrollohet me kujdes të madh data e skadencës, kjo pasi substanca të tilla mund të prishen dhe për pasojë nuk janë më të përdorshme për lëkurën e bebes. Nëse bebelinat kanë skaduar ato nuk janë më në gjendje të bëjnë një përthithje të mirë dhe për pasojë nuk e mbrojnë mjaftueshëm lëkurën e fëmijës. Kujdes me bebelinat në ofertë, kjo pasi data e tyre e skadencës mund të jetë e afërt.