Familja Dehari zgjodhi mjekët zviceranë për hetime të pavarura

2017-02-25 në ora 11:47

Familja e Astrit Deharit kanë zgjedhur një Institut në Zvicër për të bërë hetime dhe ekspertiza të pavarura për vdekjen e të birit.

Prindërit e Astritit, Xhemile dhe Avni Dehari kanë thënë se janë të bindur që djali u është vrarë, por megjithatë do e pranojnë rezultatin final të këtij instituti.

Hetimet do të bëhen nga ekspertë dhe hetues të pavarur nga Qendra Universitare e Mjekësisë, në pjesën franceze të Zvicrës, me seli në Gjenevë, raporton Periskopi.

Ekspertët e kësaj qendre, sipas tyre, kanë marr pjesë në ekspertiza në shumë raste të rënda brenda dhe jashtë shtetit të tyre.

Familja Dehari thotë se kanë zgjedhur Institutin në këtë shtet, meqë kanë jetuar shumë vite atje, kanë miq dhe besim të madh në punën që bëhet në Zvicër.

Besojnë se do të bëhet hetime të pavarura.

“Juridikisht do i besojmë, por shpirtërisht kurrë jo, sepse jam e bindur që djalin ma kanë vrarë”, ka thënë Xhemile Dehari.

“Për neve është e qartë se është vrasje, por meqë Kuvendi i Kosovës mundëson dhe ka marrë vendim për angazhim të ekspertëve ndërkombëtarë, atëherë le ta shohin çka po del”, tha Avni Dehari.

E në anën tjetër, përfaqësuesi juridik i kësaj familje, Tomë Gashi ka bërë të ditur se çështjet teknike do të rregullohen javën e ardhshme.

Gashi tha se nuk dihet sa do të zgjasin hetimet, por që sipas tij, të gjithë kanë besim në këtë Institut.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me një rezolutë obligon Ministrinë e Drejtësisë që të mbulojë shpenzimet për hetime dhe ekspertizë në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit. /Periskopi