Familja Sejdiu me prejardhje nga Kosova por me banim në Belgjikë, erdhën në vendlindje për pushime bashkë me vajzën e tyre e cila kishte probleme shëndetësore.
Ndonëse vajza kishte probleme shëndetësore që nga lindja, nëna Fitore Sejdiu po i akuzon mjekët kosovarë për përkeqësimin e gjendjes së fëmijës së saj. Nëna thotë se pas vizitës në Spitalin e Gjilanit, mjekët e kishin liruar për në shtëpi duke thënë se gjendja e vajzës është e mirë, por fëmijës i ishte përkeqësuar gjendja rrugës për në shtëpi.
“Mjekët thanë është mirë mundeni me shku, por qikes iu ndal pak frymëmarrja. E kemi dërgu apet qiken te mjeku se qikes iu ndal fryma krejt. Ia kanë dhënë ndihmën e parë dhe na kanë dërgu në Prishtinë”, thotë nëna për KTV-në.
Nëna akuzon edhe stafin e klinikës së Pediatrisë në QKUK, duke thënë se nuk janë kujdesur si duhet për vajzën e saj. Madje ajo ua lë fajin atyre edhe për disa krimba rreth syve të vajzës.
Familja poashtu ka akuzuar stafin edhe për sjelljen dhe komunikimin ndaj tyre. Zyrtarët përgjegjës të spitaleve nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.