Një nga familjarët e Rexhina Debrovës përshkruan sekondat e fundit të vajzës që humbi jetën në maternitetin e Elbasanit një orë pas lindjes.
I afërmi i Rexhinës tregon se gjithçka deri në momentin e lindjes shkoi normalisht. Madje edhe ora pas lindjes kaloi më së miri.
25-vjeçarja komunikoi me bashkëshortin në momentin që u ndje keq. Këtu sikundër thotë edhe i afërmi është neglizhuar.
“Shtatzënia e saj ka qenë e mbarë. Ajo dhe bashkëshorti janë kujdesur shumë gjatë barrës. Kanë kryer të gjitha analizat dhe vizitat dhe askush nuk i tha që të ketë probleme. Çifti mezi po priste të vinte në jetë vajza të cilën e kishin pagëzuar me emrin Alea. Ditën e lindjes i thanë që duhej bërë operim se ashtu ishte më mirë për atë dhe jetën e bebes”.
“Gjithçka ka shkuar normalisht gjatë operacionit. Pas operimit ka qenë e vetëdijshme dhe ka komunikuar edhe me bashkëshortin dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. I ka kërkuar njërës prej infermiereve që ta filmojë që ta kishte si kujtim momentin e lindjes. I kanë dërguar edhe foshnjën që ta vendosë në gji. Por pas operimit gjendja është përkeqësuar. Dimë që i ka thënë bashkëshortit që nuk ndjehem mirë, më merret fryma. Këto janë edhe çastet dramatike kur ajo po luftonte me jetën dhe kishte nevojë për ndihmë. Mendoj se këtu është neglizhuar”.