Pas emërimit të drejtorit të ri ekzekutiv, është ndërruar edhe udhëheqja në drejtorinë për shëndetësi në Spitalin e Mitrovicës.
Drejtori i ri i Spitalit të Mitrovicës Enver Beqiri, e ka emëruar Fatbardh Rexha në pozitën e drejtorit shëndetësor, i cili e ka mbajtur këtë pozitë edhe më parë por ishte shkarkuar në vitin 2021.
Këtë pozitë deri më tani e ka mbajtur Bashkim Hasani i cili ka dhënë dorëheqje, shkruan Gazeta Shneta.
Lajmin për këtë ndryshim e ka konfirmuar vet Rexha në një përgjigje për Gazetën. “Po jam emëruar sot në këtë pozitë”, ka deklaruar Rexha.
Kujtojmë se para disa ditësh ka dhënë dorëheqje drejtoresha ekzekutive e këtij spitali Luljeta Buqinca-Zhubi. Ajo kishte thënë se është larguar për çështje personale për t’iu rikthyer profesionit si infektologe.
Por para se të jepte dorëheqje, ndaj Buqinca-Zhubit ishte iniciuar një peticion për shkarkimin e saj. Peticionin e kryesonte Fatbardh Rexha, i cili u emërua në pozitën e drejtorit shëndetësor. Peticionin e kishte nënshkruar edhe vet Beqiri, i cili e pasoi atë në pozitën e drejtorit ekzekutiv. /Gazeta Shneta/