Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka zgjatur autorizimin e tyre rreth përdorimit urgjent të kombinimit të dy barnave të antitrupave monoklonal për të trajtuar COVID-19 në të gjithë fëmijët, përfshirë dhe të porsalindurit.
Kombinimi i barnave – bamlanivimab dhe etesevimab – është i autorizuar për të trajtuar COVID-in e formës së lehtë deri në mesatar te fëmijët që janë në rrezik të lartë për t’u sëmurë rëndë shkruan Very Well Health përcjell Gazeta Shneta.
Kombinimi i barnave mund të përdoret gjithashtu si një trajtim parandalues për fëmijët që janë ekspozuar ndaj COVID dhe janë në rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundje të rënda.
Trajtimi i kombinuar u autorizua për përdorim tek fëmijët e moshës 12 vjeç e sipër dhe tek të rriturit në shkurt 2021.
Në një deklaratë, Dr. Patrizia Cavazzoni, drejtoreshë e Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave të FDA, tha se zgjatja e autorizimit do të thotë se “të gjithë pacientët në rrezik të lartë të COVID-19 të rëndë, duke përfshirë fëmijët dhe foshnjat e porsalindura, kanë një opsion për trajtimin dhe parandalimin e gjendjes pas ekspozimit.”
Dr. Cavazzoni shtoi se fëmijët nën një vjeç që janë të ekspozuar ndaj virusit “mund të jenë në rrezik veçanërisht të lartë për COVID-19 të rëndë” dhe se autorizimi “adreson nevojat mjekësore të kësaj popullate të cenueshme”.
-Si funksionojnë barnat?
Bamlanivimab dhe etesevimab janë antitrupa monoklonal neutralizues që u jepen pacientëve përmes një infuzioni intravenoz (IV). Barnat tashmë po përdoren për të trajtuar COVID-19 të butë deri në të moderuar te njerëzit që kanë rezultuar pozitivë për virusin dhe janë në rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundje të rënda ose kanë nevojë për shtrimin në spital.
Kombinimi mund të përdoret gjithashtu në mënyrë parandaluese (profilaksi) tek foshnjat dhe fëmijët që kanë qenë të ekspozuar ndaj COVID dhe kanë kushte themelore që i vënë në rrezik për zhvillimin e sëmundjeve të rënda nëse sëmuren.
Çfarë bëjnë antitrupat monoklonal në organizëm?
Antitrupat monoklonal imitojnë antitrupat natyral që trupi prodhon nëse organizmi është infektuar me virusin COVID. Bamlanivimab dhe etesevimab punojnë së bashku për të synuar pjesët e mbivendosura të proteinës gjembore të virusit dhe për ta mbajtur atë nga bashkimi me qelizat njerëzore (që është mënyra se si i infekton ato).
Dr. Andrew Pavia, shefi i sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Utah, tha për Verywell se antitrupat monoklonal “kanë provuar të jenë një terapi efektive për njerëzit në rrezik të lartë për t’u shtruar në spital ose për të zhvilluar sëmundje të rënda”.
Dr. Pavia shtoi se më parë, “fëmijët nën 12 vjeç ose që peshonin më pak se 40 kilogramë nuk kishin akses në antitrupat monoklonal”, por me zgjatjen e autorizimit të përdorimit emergjent, tani do ta kenë rastin. /Gazeta Shneta/