Fëmijët e braktisur me aftësi të kufizuara adoptohen në familje jashtë Kosovës, kryesisht nëpër vende të Evropës dhe për shkaqe humanitare, për shërimin e tyre
“Secila nënë që vendos të braktisë një fëmijë, është mirë që këtë ta bëjë në ndonjë klinikë, qoftë publike apo private e jo në rrugë pasi e rrezikon jetën e fëmijës”. Me këtë thirrje e nis bisedën drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, shkruan Gazeta Shneta.
Me Kodin Penal të Kosovës, neni 250, braktisja e fëmijës varësisht prej rrethanave dënohet nga 1 deri në 5 vite burg. Por Mujku tregon se deri më tani asnjë nënë nuk ka vuajtur këtë dënim për shkak të rrethanave në të cilat braktisin fëmijët.
“Moshat e nënave që braktisin fëmijë janë 17 deri 20 vjet dhe të cilat nuk e dinë as kush është baba i fëmijës pasi kanë qenë në ndonjë ndikim të ndonjë substance, të dhunuara apo të tradhtuara nga ndonjë bashkëshort dhe shpesh herë ndodhë që kanë pasur marrëdhënie edhe me 5 deri 15 persona dhe nuk mund të përcaktohet prindi baba”, deklaron Mujku.
Këtyre arsyeve, ai ia shton edhe mungesën e përkrahjes së familjes që nuk e duan një fëmijë në shtëpi që nuk i dihet emri i babait.
“Ka raste kur nënat janë me moshë 25 dhe 30 dhe kërkojnë përkrahje, strehim apo punësim gjë që ne nuk mund t’ia ofrojmë dhe edhe në këto raste fëmija braktiset”, shton Mujku.
Por me braktisje nuk merr fund gjithçka pasi në katër vitet e fundit janë shënuar 6 raste të ribashkimit të nënës me fëmijën.
Mujku tregon procesin e që nga braktisja e fëmijës deri te adoptimi. Fillimisht nënës i kërkohet një deklaratë e përkohshme, pasi konsiderohet një periudhë reflektimi prej 14 javësh për të marrë një vendim përfundimtar për braktisje.
Pastaj ka raste kur nëna jep ndonjë emër të babait, por që në të shumtën e rasteve rezulton i gabuar, derisa foshnja qëndron në spital 21 deri 28 ditë pas lindjes.
Pas kësaj periudhe, bebja një muajshe merret nga ndonjë familje strehuese të cilat paguhen 150 euro në muaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, apo në SOS fshatrat.
Tani fëmija qëndron në strehim derisa të hyjë në procedurën për adaptim. Kjo fillon në momentin kur nëna jep deklaratën përfundimtare të braktisjes, apo e njëjta nuk është lajmëruar fare 364 ditë pas lindjes së bebes.
Mujku tregon se për familjet adoptuese janë disa kritere që nuk bënë të jenë më të moshuar se 50 vjet, të mos kenë të kaluar kriminale, të ardhura të rrjedhshme, raport psikologjik, etj.
Numri i adoptimeve në Prishtinë për çdo vit shkon deri në 12 raste, derisa braktisje në dy vitet e kaluara ka pasur deri në pesë raste të braktisjeve.
Një familje adoptuese ka mundësi të zgjedh vetëm gjininë e fëmijës dhe gjendjen shëndetësore.
“Nëse duan fëmijë me aftësi të kufizuara mund të vijnë shumë shpejt te adoptimi pasi është një numër i madh i tyre. Në Prishtinë janë 7 fëmijë që kanë mbërritur edhe moshën 17-vjeçare”, ka deklaruar Mujku.
Ai tregon se këta fëmijë dërgohen për adoptim ndërkombëtar, ndërsa fëmijët me gjendje të mirë shëndetësore jo sepse ka kërkesa të mjaftueshme për ta në Kosovë.
“Sivjet i kemi adoptuar 3 fëmijë me aftësi të kufizuara në vendet e Evropës”, tregon Mujku.
QPS-ja ka arritur të marrëveshje me disa organizata ndërkombëtare nëpërmjet të cilave vjen deri te adoptimi i fëmijëve.
“Kryesisht janë kërkesa për shkaqe humanitare dhe ne jemi shumë të kënaqur sepse këta fëmijë mund të gjejnë edhe shërim në këto vende të Evropës që e kanë mjekësinë shumë të avancuar”, ka thënë në fund Mujku. /Gazeta Shneta/