Femrat të cilat kanë cikël të çrregullt menstrual mund të kenë rrezik dyfish më të lartë për të zhvilluar kancer të vezoreve, krahasuar me femrat që kanë periudha të rregullta.
Përfundimi vjen nga një studim i fundit amerikan, që ka përfshirë më shumë se 14 mijë gra, të cilat janë përcjellë për 50 vjet ose deri në vdekje.
Nga to, 103 kishin zhvilluar kancer të vezoreve, 20 prej të cilave kishin pasur periudha të çrregullta, që zgjasin më shumë se 35 ditë ose që janë të paparashikueshme nga muaji në muaj.
Nga to 65 kanë vdekur nga kanceri i vezoreve, 17 prej të cilave me cikël menstrual. Derisa mosha mesatare e vdekjes nga kanceri i vezoreve ishte 69 vjeçe.
Rezultatet tregojnë se femrat me perioda të çrregullta kishin 2.4 herë më shumë rrezik për të vdekur nga kancer i vezoreve, krahasuar me femrat me rrezik normal. Studimi po ashtu ka gjetur se fermat të cilat kanë pasur një të afërm të ngushtë (nënë, motër, vajzë) me kancer të vezores, ishin po thuajse tre herë më të rrezikuara të vdesin nga kjo sëmundje.
Ekspertët këshillojnë femrat me periudha të çrregullta, përfshirë edhe ata që vuajnë nga sindroma policistike ovare, të bëjnë kontrolle të hershme dhe më të shpeshta mjekësore, pasi kështu mund të ndihmojnë parandalimin e zhvillimit të këtij kanceri.