Nisi fushata humanitare “Kosovë je mbush me diell”.
Prezantuesja e njohur, Albana Osmani është zhvendosur në Prishtinë, ku përuroi nismën humanitare “ Kosovë je mbush me diell”. Kjo kauzë ka për qëllim të mbledhë të ardhura nga shitja e bluzave me luledielli, paratë e të cilave do të shkojnë për fëmijët e sëmurë të spitalit onkohematologjik në QKUK.
Në shenjë simbolike të kësaj nisme, Kryeministri Ramush Haradinaj, bashkëshortja e tij Anita si dhe nismëtarja e kësaj fushate Albana Osmani ndezën lulediellin në sheshin “Nënë Tereza”, pikërisht në ditën e lumturimit të shenjtores shqiptare.
-““Jam e lumtur që fushata sensibilizuese nisi sot, shpresojmë që të shesim sa më shumë bluza, sepse është me rëndësi që atyre fëmijëve në nevojë, t’u japim një buzëqeshje. – tha Osmani”.
Synimi i kësaj fushate është shitja e 3000 bluzeve me imazhin e lulediellit, si dhe me helmetën e dardanëve, për të arritur shumën e nevojshme prej 60 mijë eurosh, të cilat do të shkojnë të gjitha për blerjen e aparaturave për fëmijët e spitalit onkohematologjik në QKUK. Bluzat me simbolin e lulediellit do të mund t’i gjeni në pikat e shitjes të vendosura në sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë.
Në 1 Qershor të vitit të kaluar fëmijët që kurohen në shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, falë kësaj fushate kanë marrë dhuratë një aparat respirator të teknologjisë më të fundit për terapinë intensive, EKO për fëmijët me kardiopati dhe një dhomë të pajisur me televizorë dhe poltrona me pompa multifunksionale, ku ata bëjnë kimioterapinë.
Po pse është zgjedhur pikërisht luledielli si simbol i bluzeve? Kjo lule e bukur ngjall shpresën, dritën dhe jetën për këta fëmijë, të cilët fati i vuri në vështirësi.
Bluzat janë të të gjithave masave dhe për të gjitha moshat, duke filluar që nga fëmijët, tek adoleshentët, moshata e tretë si dhe për miqtë tuaj me katër putra.
Nismës humanitare “ Ti je një lule dielli” në Tiranë si dhe asaj në Kosovë në logon “ Kosovë je mbush me diell” u janë bashkuar edhe mjaft figura të njohura të politikës , artit dhe të sportit.