Klinika e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit përballet me mungesë të hapësirave. Në vetëm 800 metra katror trajtohen rreth 150 pacientë për çdo ditë. Pacientët trajtohen në dy orare, në mëngjes burrat dhe më vonë gratë. Kjo për shkak të natyrës së trajtimit dhe intimitetit të pacientëve
Në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit ofrohen disa lloje të shërbimeve të terapisë fizikale. Doktoresha Valbona Krasniqi thotë se në ambulantën specialistike vizitohen rreth 50 pacientë në ditë, ndërsa në shërbimet ambulantore trajtohen përditë rreth 140.
Kjo klinikë është e ndarë në dy pjesë. Shërbimet ambulantore kryhen në bodrumet e ndërtesës së Kirurgjisë, ndërsa hospitalizimi i pacientëve bëhet në ndërtesën e Klinikës së Ortopedisë ku janë vetëm 14 shtretër, shkruan Gazeta Shneta.
Klinika përballet me mungesë të kushteve dhe hapësirave për trajtimin dinjitoz të pacientëve. Trajtimi i pacientëve bëhet në mënyrë të ndarë për nga gjinia. Në mëngjes trajtohen burrat ndërsa më vonë gratë.
Kjo ndodhë për shkak të natyrës së terapive fizikale e të cilat kërkojnë intimitet. Në dhoma janë improvizuar disa ndarje me perde ku kryejnë terapinë fizikale në të njëjtën kohë dhjetëra pacientë.
Dr. Krasniqi tregon se për shkak të pamundësisë së trajtimit, janë disa raste të rënda që nuk mund të kryhen në këtë klinikë.
“Poashtu kemi edhe listë të pritjes së pacientëve të cilët nuk janë raste urgjente”, shton mjekja.
Ajo thotë se trajtimi i 150 pacientëve në ditë kërkon për secilin prej tyre minimum 3 procedura terapeutike.
“Secili nga pacientët i kanë minimum 3 procedura terapeutike. Gjatë ditës kryhen rreth 450 procedura gjithsej dhe secila prej tyre zgjatë rreth 30 minuta”, shprehet Krasniqi.
“Pajisjet elementare i kemi, por nga mungon infrastruktura. Shtretërit janë të vjetëruar. Nuk kemi hapësira, në një shtrat kryejnë procedurën 3 pacientë në të njëjtën kohë”.
Krasniqi thekson mungesën e hidroterapisë e cila është mjaft e rëndësishme për trajtimin e disa patologjive. Pacientët që kanë nevojë për këtë procedurë, duhet ta kryejnë në qendrat private të rehabilitimit. Poashtu në këtë klinikë mungojnë edhe procedurat e avancuara si ajo e fototerapisë me rreze ultraviolete.
Por sipas Krasniqit, këto mungesa do të eliminohen me ndërtimin e Klinikës së re e cila do të financohet nga Ministria e Shëndetësisë. Ajo thotë se procedura tanimë është në fazën e marrjes së lejes për ndërtim.
“Do të jetë një klinikë me standardet evropiane me të gjitha procedurat, ku do të jenë edhe hidroterapia, pishinat dhe do të jenë të ndara të gjitha repartet për patologjitë e ndryshme”, ka deklaruar Krasniqi. /Gazeta Shneta/