Emërimi i dhëndrit të kryeministrit Ramush Haradinaj, në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, është bërë temë debati në Kuvendin e Kosovës.
Disa javë pas formimit të Qeverisë nga Haradinaj, Liridon Dervishaj është emëruar shef i Fondit. Ky emërim ka rënë në kundërshtim me një nga pikat e programit qeverisës, për luftimin e nepotizmit dhe familjarizmit.
Kështu ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Ai ka ngritur dyshime mbi të, por Haradinaj ka dal në mbrojtje të dhëndrit.
“Liridoni është burri i motrës time Antigonës. E kam marr vesh në media për emërimin e tij. Ai punon gjatë në Fond dhe është e vështirë me ia privu dikujt të drejtën për punë veç pse është familjar. Për këtë kam biseduar me njerëz pasi e kam marr vesh në media”, ka thënë Haradinaj, duke bërë me dorë nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Haradinaj ka shtuar se “Liridoni është djalë i mirë dhe i zoti”.
Konjufca ka replikuar duke thënë se Dervishaj ka mundur të jetë “djalë i zoti” edhe para se të vinte kjo Qeveri.
“Dyshimi është se ky Liridoni ka mundur me qenë i zoti edhe para se me ardh Qeveria juaj. Nuk ka mundur të bëhet më i zoti për një natë ose më i mençur. Mos harroni se posti për të cilin po flasim ne do të jetë Fondi i tretë me më së shumti para në Kosovë. Do të jetë menaxheri i Fondit me miliona euro. Dhe në momentin kur vjen kjo Qeveri, ai emërohet në këtë pozitë”, ka deklaruar Konjufca.
Haradinaj ka thënë se mbetet të shihet puna e tij derisa të funksionalizohet Fondi në tërësi. /Gazeta Shneta/