Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve para disa ditësh është kryer për herë të parë pas luftës një operacion tek foshnja e posalindur. Bëhet fjalë për një keqformim që çon ushqimin në rrugët e frymëmarrjes, e që është përmirësuar nga kirurgët e kësaj klinike
Një nënë që lindi fëmijën e saj në Spitalin e Pejës më 19 janar, nuk mundi ta ushqej pasi qumështi i saj derdhej në mushkëritë e foshnjës. Pasi qëndroi dy ditë në këtë spital, ajo u drejtua tek Klinika e Neonatologjisë në QKUK.
Aty u pranua nga personeli mjekësor Dr. Faton Krasniqi, Dr. Melihate Çekaj dhe Dr. Shpëtim Salihu. Foshnja, ndonëse kishte lindur në terminin e caktuar, ajo kishte ardhur në jetë nën peshën normale me vetëm 2400 gramë.
Mjekët e Neonatologjisë së bashku me radiologët dhe kirurgët, arritën ta diagnostikojnë foshnjën me një keqformim që ndodhë vetëm 1 deri 3 për qind të lindjeve në krejt botën.
Kirurgu Gani Çeku në një bisedë për Gazeta Shneta ka treguar më shumë hollësi rreth këtij rasti. Ai thotë se metoda me të cilën është diagnostikuar ky rast është shumë e thjeshtë.
Përderisa në botë përdoret video-bronkoskopi, mjekët në QKUK në mungesë të kësaj aparature përdorin një sondë për të vërtetuar nëse ka ndërprerje të një organi të caktuar. Pastaj nëpërmjet radiologjisë me kontrast, konstatohet kjo ndërprerje dhe bëhet ndërhyrja kirurgjike.
Ata panë se ka ndërprerje por nuk e dinin se ajo është e dyfishtë.
Rentgeni i foshnjes
“Kemi operuar një keqformim të lindur që në gjuhën mjekësore njihet si atrezion i ezofagut. E veçanta ka qenë se distanca në mes dy skajeve të atrezionit të ezofagut apo mungesës së kapercolit, ka qenë mjaft e madhe. Ky është një rast i komunikimit të dyfishtë të ezofagut me rrugët e frymëmarrjes”, tregon Dr. Çeku.
Ai thotë se është rasti i parë që është diagnostikuar, operuar dhe ka mbijetuar foshnja që nga paslufta.
Ekipi është përbërë nga kirurgu Gani Çeku, Dr. Sejdi Statovci dhe Dr. Ali Aliu. Anesteziolog Driton Zylfiu. Pas operacionit foshnja është marr nën kujdesin operativ në Neonatologji dhe është liruar më pastaj për në shtëpi me peshë mbi 2600 gramë. /Gazeta Shneta/