Foshnjat e lindura para kohe në Kosovë, janë të rrezikuara deri në vdekje gjatë transportit nga një institucion në tjetrin për shkak të mungesës së kushteve adekuate.
Kështu është konstatuar në draftin final të Udhërrefyesit për Transportin Neonatal të përgatitur nga Dr. Mynavere Hoxha, Dr. Lumnije Sutaj, Dr. Valbona Çela, Dr. Xhevdet Gojnovci dhe Ass. Dr. Shpëtim Salihu.
Për shkak të kushteve të limituara nëpër maternitete dhe spitale rajonale, udhërrefyesi ka për qëllim të ofrojë informacione sipas mjekësisë lidhur me sistemin e referimit të foshnjeve të porsalindura që kanë nevojë për trajtim në nivelin tretësor të kujdesit shëndetësor, komunikimin ndërmjet niveleve të kujdesit dhe kujdesin që duhet të ju ofrohet gjatë transportit, shkruan Gazeta Shneta.
Në klinikën e Neonatologjisë vitin e kaluar janë trajtuar 10 mijë e 222 foshnje të posalindura dhe 799 të pranuara nga jashtë. Prej këtyre të fundit, 231 bebe janë referuar në spitalet rajonale ose maternitetet e Kosovës, ndëra prej tyre 18 foshnje kanë vdekur.
“Bazuar në punën e përditëshme, raportet vjetore të Klinikësë Neonatologjisë, si dhe në raportet vjetore Perinatale të Kosovës, sistemi dhe kushtet për transportin e foshnjeve të porsalindura në Kosovë janë shumë të vështira”, thuhet në Udhërrëfyes.
Shumica e foshnjave të porsalindura referohen pa u stabilizuar para transportit dhe nuk ju ofrohet kujdes adekuat gjatë transportit.
“Transportin e foshnjave të porsalindura që kanë nevojë për kujdes më të lartë intenziv e bëjnë vetë spitalet referuese, kryesisht nën përcjelljen nga ana e infermieres, pa kushte dhe pajisje adekuate për transport ose shpesh transportin e organizon vetë familja. Kështu, foshnjet e referuara, shpesh arrijnë në NjKIN të Klinikës së Neonatologjisë në gjendje shumë të rëndë dhe kritike apo përfundojnë me fatalitet gjatë transportit”, theksohet në këtë dokument.
Transporti i foshnjave të sëmura dhe premature në qendrën me përvojë dhe pajisje për të ofruar kujdes intenziv multi-sistemik, sipas grupit punues, ka treguar se përmirëson rezultatet e këtyre foshnjave.
“Prematuriteti, asfiksioni dhe sepsa janë shkaqet më të shpeshta të vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura 17 Disa prej këtyre shkaqeve është lehtë të korrigjohen dhe mund të vjen deri te ulja sinjifikante e vdekshmërisë neonatale poqese këtyre foshnjave ju mundësohet qasje në kujdes special dhe intenziv”.
Dokumenti tërheq vërejtjen se disa kompani dhe spitale private ofrojnë shërbime të transportit, por ndonëse me çmim të papërballueshëm për familjarët, ato edhe nuk kanë kushte adekuate.
Prandaj ky Udhërrëfyes rekomandon që të porsalindurit që kanë nevojë për kujdes special ose intensiv, rekomandohet që të transportohen nga një ekip i organizuar dhe i trajnuar për transportin neonatal. /Gazeta Shneta/