Infeksionet e valës së pestë të koronavirusit në Francë po rriten me një ritëm alarmues, njoftoi qeveria të dielën, me rastet e reja ditore me COVID afër dyfishimit, gjatë javës së kaluar.
Mesatarja shtatëditore e rasteve të reja arriti në 17,153 të shtunën, nga 9,458 një javë më parë, sipas autoriteteve shëndetësore, një rritje prej 81 përqind, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
“Vala e pestë po fillon me shpejtësi rrufe”, tha zëdhënësi i qeverisë Gabrial Attal për mediat.
Rritja e fundit shtatë-ditore është trefishi i rritjes mesatare të rasteve të regjistruara gjatë tre javëve të mëparshme, duke treguar një përshpejtim eksponencial të infeksioneve.
Për momentin rritja e infeksioneve nuk ka çuar në një fluks masiv të pacientëve me COVID në spitale, me autoritetet që ia atribuojnë numrin e kufizuar pacientëve të kujdesit intensive, shkallës së lartë të vaksinimeve në Francë, të cilat duken shumë efektive kundër formave më të rrezikshme të COVID.
Të shtunën, spitalet raportuan gjithsej 7,974 pacientë me COVID në kujdesin e tyre, me 1,333 prej tyre në trajtim intensiv.
Kjo krahasohet me 6,500 dhe 1,000, respektivisht, një muaj më parë.
“Ka një rritje shumë të fortë të infeksioneve, por ne gjithashtu e dimë që në Francë kemi një mbulim shumë të madh vaksinimi”, tha ai. “Duket se jemi përpara fqinjëve tanë për sa i përket dozave përforcuese.” /Gazeta Shneta/