Ulja e numrit të fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit dhe rubeolës ka ngjallur shqetësim tek ekspertët e shëndetit. Sipas tyre risku për prekjen nga fruthi mbetet përmanent për sa kohë nuk kryhet vaksinimi. Si masë parandaluese për përhapjen e virusit specialistët rekomandojnë mospranimin në institucionet arsimore të fëmijëve të pavaksinuar.
Frika e pavend për prekje nga autizmi si pasojë e vaksinimit të fëmijëve në moshën 1-vjeçare ka bërë që shumë prindër të hezitojnë për të vaksinuar fëmijët kundër fruthit dhe rubeolës, duke rritur riskun për prekje nga këto viruse.
“Ka qenë dhe këshillë e vetë mjekëve, por është totalisht e gabuar të shtysh vaksinimin. Nuk ka asnjë lidhje të vaksinës me autizimin. Është vërtetuar tashmë prej shumë vitesh dhe tashmë mbeten si thashetheme këto teoritë ‘shiko se ka ndonjë lidhje kjo me autizimin’. Lidhje nuk ka. Ata duhet menjëherë të vaksinojnë fëmijët, të mos e shtyjnë”- thotë specialistja e ISHP-së, Erida Nelaj. Ajo ngre shqetësimin se mosvaksinimi rrit riskun e prekjes nga virusi, për më tepër në rastin kur Rumania është prekur nga ky virus e madje janë shënuar edhe 17 viktima.
“Përhapja e fruthit në Rumani dhe vdekjet, kemi rreth 17 vdekje atje të fëmijëve 1-15 vjeç. Kjo për arsye të mosvaksinimit. Jemi në një situatë kur mund të përballemi me fruthin sepse ka nëna që tentojnë ta shtyjnë vaksinimin e fëmijës”.
Sipas Nelajt, fëmijët që nuk janë vaksinuar nuk duhet të pranohen në institucionet arsimore pasi janë kontingjent i përhapjes së virusit.
“Një fëmijë i pa vaksinuar, i futur në këto grupe fëmijësh është burim i transmetimit të fruthit. Çdo fëmijë që paraqitet në shkolla, kopshte, universitete privat apo shtetërore duhet të ketë aty të depozituar kartelën e vaksinimit. Nuk lejohet një fëmijë i pa vaksinuar të qëndrojë në ambiente me fëmijët e tjerë.
Ritmet e përhapjes së virusit të fruthit janë tejet të shpejta dhe sipas të dhënave një person i infektuar mund ta përhapë sëmundjen tek 12 të tjerë në një kohë fare të shkurtër”.oranews