Konsumimi i frutave dhe perimeve është prej kohësh pjesë e rekomandimeve për një jetë të shëndetshme, por një studim i ri sugjeron se për shëndetin e zemrës nuk ka rëndësi vetëm sasia, por edhe lloji i ushqimeve që zgjedhim.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore Food and Function, përbërësit natyralë të njohur si flavanole luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e sistemit kardiovaskular. Flavanolet janë substanca me veprim antioksidues që gjenden në disa fruta, perime, çaj dhe produkte të kakaos.
Studimi, i cili analizoi të dhënat e më shumë se 30 mijë personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se ndjekja e rekomandimeve të përgjithshme për konsumimin e pesë porcioneve të frutave dhe perimeve në ditë nuk garanton domosdoshmërisht marrjen e mjaftueshme të flavanoleve.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Javier Ottaviani, flavanolet mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, por vetëm nëse konsumohen në sasi të mjaftueshme.
Hulumtuesit konstatuan se më pak se një e katërta e pjesëmarrësve arrinin nivelin e rekomanduar prej rreth 500 miligramësh flavanole në ditë, edhe pse ndiqnin një regjim ushqimor të konsideruar të shëndetshëm.
Flavanolet gjenden në sasi të larta në kumbulla, boronica të kuqe, manaferra, mollë me lëvore, qershi, luleshtrydhe dhe boronica. Burime të rëndësishme janë gjithashtu çaji i gjelbër dhe disa lloje bishtajash.
Sipas studiuesve, përfshirja në dietë e një molle në ditë, një grushti manaferra ose një filxhani çaj të gjelbër mund të ndihmojë në rritjen e marrjes së këtyre përbërësve të dobishëm për zemrën.
Ekspertët theksojnë se jo të gjitha frutat dhe perimet ofrojnë të njëjtat përfitime ushqyese dhe se rekomandimet e ardhshme dietike mund të fokusohen më shumë te cilësia e ushqimeve sesa vetëm te sasia e tyre.


