Radio Televizioni i Prishtinës me rastin e hapjes së Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, kishte intervistuar nxënësit e shkollave të mesme të cilët mezi prisnin të regjistroheshin në këtë institucion.
Një prej këtyre nxënësve ishte edhe Syheda Latifi-Hoxha, e cila atë kohë ishte vetëm 16-vjeçare dhe mbase nuk e dinte se do të bëhej mjeke, shkruan Gazeta Shneta.
Latifi në prononcimin e saj para kamerës së RTP-së thotë se është gëzuar shumë për hapjen e Universitetit, ndërsa shpreson se do të themelohen edhe fakultete tjera.
“Ky lajm tepër më gëzoi sepse Universiteti si institucion do të hap edhe fakultete tjera”.
“Kam qenë mjaft e gëzuar kur e kam shikuar mbledhjen e solemne e cila u mbajt për 19 nëntor me rastin e ditës së çlirimit të Prishtinës. Isha e kënaqur me ligjëratat në lidhje me universitetin”, kishte deklaruar studentja e ardhshme e Fakultetit të Mjekësisë.
Prof. Dr. Syheda Latifi-Hoxha ka punuar në katedrën e Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë si dhe në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së. Ajo vazhdon të ushtroj profesionin e saj me shumë përkushtim ndaj pacienteve.
Kujtojmë se sivjet UP shënon 50-vjetorin e themelimit. /Gazeta Shneta/