Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur arrest shtëpiak edhe për kirurgun Isuf Zekaj, i cili u arrestua dje nga Policia e Kosovës.
Zekaj është arrestuar dje disa ditë pasi ishte në kërkim nga Policia nën dyshimet për veprën “marrje ryshfeti” dhe me vendim të Gjykatës gjendet në arrest shtëpiak, shkruan Gazeta Shneta.
Vendimin e gjykatës e ka bërë të ditur avokati i Zekajt, Mahmut Halimi.
“Pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë në çështjen kundër Dr.Isuf Zekaj, u refuzua kërkesa për paraburgim e Prokuroris Themelore dhe iu caktua masa e arrestit shtëpiak”, ka shkruar Halimi.
Zekaj është arrestuar nga Policia e Kosovës pas arrestimit edhe të dy kolegëve të tij Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj. Sefiu gjendet poashtu në arrest shtëpiak, derisa Latifaj është liruar në procedurë të rregullt.
Të tre u arrestuan pas raportimit të Gazetës Shneta e cila publikoi disa video-dëshmi të pacientëve se tre kirurgët e Spitalit të Vushtrrisë dyshohej se kishin marr para nga pacientët për të kryer operacionet. /Gazeta Shneta/