Gjykimi i drejtoreshës për tenderin e shtrenjtë të barnave

2017-03-10 në ora 21:53

Drejtoresha e Barnatores Qendrore në QKUK, Enkelejda Gjonbalaj, po përballet me gjyqin për një tender me të cilin prokuroria pretendon se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas aktakuzës, Gjonbalaj në cilësinë e personit zyrtar si drejtoreshë e Barnatores Qendrore në QKUK në Prishtinë, si dhe kryesuese e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e listës esenciale me preparate mjekësore, ka zëvendësuar dy produkte mjekësore, me një produkt tjetër më të shtrenjtë.

Gjonbalaj akuzohet se me qëllim të përfitimit për vete dhe operatorin ekonomik “Global Pharm” i ka hequr nga lista esenciale e barnave produktet mjekësore “ondansetron” dhe “granisteron”, të cilat në treg kanë pasur çmim shumë më të vogël. Këto produkte i ka zëvedësuar me produktin tjetër “palonosetron”, i cili në treg ka pasur vlerën prej 77.99 eurove, shkruan Kallxo.com.

Gjonbalaj ngarkohet se përveç që e vendosi në listë produktin e shtrenjtë, atë e futi në rangun e citostatikëve-barnave që lehtësojnë sëmundjen e kancerit, edhe pse ky bar përdoret vetëm për të vjellat që shkaktohen nga kjo sëmundje.

Për futjen e “palonosetron”-it në listën esenciale të barnave, aktakuza konstaton se Gjonbalaj nuk u konsultua me onkologët-ekspertët mjekësorë që luftojnë kancerin.

Megjithatë, lista e barnave ku bënte pjesë edhe medikamenti i vendosur nga Gjonbalaj ishte nënshkruar nga anëtarët e grupit punues për ndryshim-plotësimin e listës së barnave esenciale, duke mundësuar shpalljen e tenderit për furnizim me citostatikë.

Në seancën e sotme i ftuari i prokurorisë ishte eksperti financiar Mentor Prekazi, i cili tregoi se nëse tenderi do të fuqizohej, Ministrisë së Shëndetësisë do t’i duhej të paguante 1,247.840 euro, në vend të 1,154.720 eurove.

“Bazuar në shkresat e lëndës është konstatuar se Enkelejda Gjonbalaj në cilësinë e kryesueses së komisionit ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në heqjen e pajustifikueshme nga lista esenciale të citostatikëve”, theksoi eksperti Prekazi.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i të akuzuarës Gjonbalaj, Basri Jupolli pyeti ekspertin financiar se a konsiderohet dëm futja e një medikamenti më të shtrenjtë në listë, e për këtë, eksperti financiar nuk kishte përgjigje.

Avokati Jupolli theksoi se tenderi për të cilin akuzohet e mbrojtura e tij, është ndaluar nga autoritetet kompetente dhe nuk ka ndodhur dëmi për të cilin po akuzohet Gjonbalaj.

Në fund, avokati mbrojtës Jupolli, kërkoi që ekspertiza e Mentor Prekazit të shpallej e papranueshme nga gjykata.

“Kemi vërejtje në ekspertin. [Ekspertizën] e kundërshtojmë në tërësi duke marrë parasysh veçanërisht se objekti i ekspertizës nuk përputhet në periudhën inkriminuese. Pastaj, duke marrë parasysh se buxheti i Republikes së Kosovës nuk është dëmtuar asnjë cent sepse në rastin konkret nuk ka përvetësim të kundërligjshëm. Propozoj që kjo provë të shpallet provë e papranueshme”, tha avokati Jupolli.

Avokati i të akuzuarës Gjonbalaj nuk propozoi ndonjë ekspert tjetër.

Njëjtë veproi edhe prokurori i shtetit Ibrahim Berisha, duke konstatuar se ka prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë pretendimin e prokurorisë.

“Nuk kam propozime të tjera sepse konsideroj se ka prova të mjaftueshme në shkresat e lëndës që vërtetojnë tezën e aktakuzës”, tha prokurori Berisha.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes që ekspertiza të shpallet provë e pambështeshme dhe e papranueshme, trupi gjykues mori aktvendim që të vendosë në seancat e ardhshme.