Një çrregullim i zakonshëm i hormoneve në mesin e grave të moshës riprodhuese lidhet me një rrezik të shtuar të ngjarjeve të padëshiruara kardiovaskulare dhe rezultateve të shtatzënisë në momentin e lindjes, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga studiuesit e Johns Hopkins Medicine.
Studimi u botua më 16 qershor në revistën e Shoqatës Amerikane të Zemrës, përcjell Gazeta Shneta.
Sindroma e vezores policistike (PCOS), prek rreth 5-13% të grave në popullatën e përgjithshme.
Kjo situatë shkakton perioda të parregullta, nivele të tepërta të hormoneve mashkullore (androgjene) dhe nganjëherë, infertilitet.
Duke u bazuar në hulumtimet e mëparshme që tregojnë se sindroma e vezores policistike është e lidhur me rreziqet e ardhshme të sëmundjeve kardiovaskulare më vonë në jetë, gjetjet e reja zbulojnë se gjithashtu mund të rrisë ndjeshëm problemet e zemrës tek gratë shtatzëna gjatë lindjes.
Për të mësuar më shumë rreth komplikimeve të shtatzënisë KLIKO KËTU.
Këto probleme përfshijnë preeklampsinë (nivele të rrezikshme të presionit të lartë të gjakut me dëmtim të organeve), kardiomiopati peripartum (një zemër e dobët ose e zmadhuar), dështimi i zemrës, ritmet jonormale të zemrës dhe tromboembolizmi venoz (trombozë gjaku), krahasuar me gratë pa sindromën në fjalë.
“Shpesh, gratë me sindromën policistike ovariane janë të shqetësuara për efektet e menjëhershme, si një cikël i parregullt menstrual, qime të tepërta në trup, shtim në peshë dhe puçrra fytyre. Megjithatë, komplikimet afatgjata kardiovaskulare janë gjithashtu një problem tjetër serioz,” tha Dr. Erin Michos, profesor i asociuar i mjekësisë në Universitetit Johns Hopkins.
Dr. Michos, tha se studimi i ri duhet të inkurajojë gratë me sindromën policistike ovariane të bëjnë një mënyrë jetese të shëndetshme për zemrën para, gjatë dhe pas shtatzënisë për të zvogëluar rrezikun e rezultateve negative. /Gazeta Shneta/