Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konstatuar se kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal në Kosovë. Ky institucion ka rekomanduar nxënësit e prekur nga gripi që të qëndrojnë në shtëpi
Instituti ka njoftuar se është shtuar numri i rasteve të gripit në Kosovë. Vetëm gjatë javës së pestë të këtij viti, janë raportuar 6 mijë e 541 raste, që paraqet rritje prej 55.5 për qind me javën e kaluar.
“Nga 01 tetori deri më 02 shkurt, 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31.383 raste të dyshimta në grip (ILI)”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 07 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 165 ose 51 % kanë rezultuar pozitive në Influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në Influencën A (1 rast A(H1) dhe 99 në Influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata)”, thuhet tutje.
Pas këtyre të dhënave, Instituti ka konstatuar se kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal.
Me këtë rast janë dhënë edhe rekomandimet për Ministrinë e Arsimit që të njoftohen të gjitha institucionet shkollore.
“Të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut”.
Poashtu për qytetarët rekomandohet që të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.
Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.
Instituti thotë se ka rritur vigjilencën dhe nuk ka nevojë për panik, ndërsa rastet e rënda po trajtohen në SHSKUK. /Gazeta Shneta/