Shkoi në QKUK për t’ua dorëzuar donacionin prej 40 karrocash për pacientët me nevoja të veçanta, por ishte vet ai që pati vështirësi për t’u paraqitur në binën e amfiteatrit të Kirurgjisë.
Afrim Maliqi pati nevojë për asistencë për t’u ngjitur në binë, por kjo nuk është e vetmja vështirësi për një person si ai. Klinikat e QKUK-së pothuajse të gjitha kanë mungesa për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, shkruan Gazeta Shneta.
Shpeshherë familjarët e pacientëve janë detyruar që të shkojnë në Qendrën e Mjekësisë Urgjente për të marr një karrocë për bartjen e pacientëve.
Megjithatë, Maliqi dhe organizata që drejton ai Handikos, plotësuan sot një mungesë të spitaleve. Ata dhuruan 40 karroca për pacientët me aftësi të kufizuara, apo ata që për shkaqe të sëmundjeve nuk mund të lëvizin në këmbë.
Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, falënderoi Handikos-in duke thënë se ky donacion ka qenë i domosdoshëm për ta.
“Është një donacion që përfitojnë pacientët tonë në QKUK dhe shumë i domosdoshëm, sepse kemi pas disa herë vështirësi në lëvizje të kësaj kategorie të pacientëve”, ka deklaruar Gjocaj.
Maliqi deklaroi se këto karroca nuk janë donacioni i parë, por nuk do të jetë as i fundit.
“Ne vazhdojmë të punojmë që t’i mbulojmë nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Në klinika ka pacientë që kanë kufizime të ndryshme, por edhe ata që për shkaqe të sëmundjeve nuk mund të lëvizin”, ka shtuar ai.
“Përvoja jonë ka treguar që sado kudo t’i mbulojmë nevojat që janë të drejta themelore të njeriut për lëvizje të lirë”, ka deklaruar Maliqi.
Ai ka kërkuar më tepër mbështetje nga Qeveria dhe institucionet tjera.
“Ne jemi organizatë që bazohemi në projekte dhe kërkojmë bashkëpunim edhe më tepër nga institucionet tona dhe Qeveria”, është shprehur Maliqi.
I pranishëm në këtë prezantim të donacionit ishte edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
Ai tha se “edhe këta persona janë pjesë e shoqërisë” dhe si të tillë kemi detyrim t’i përkrahim.
“Ne e kemi përkrahur projektin e një punishteje për Hendikos ku prodhohen karroca specifike. Ministria do të vazhdojë të përkrah këtë projekt sepse po shihen rezultatet”, ka thënë Sadiku. /Gazeta Shneta/