Me të ushqyerit e duhur, mund t’i shpallet luftë melankolisë së vjeshtës dhe të dimrit. Ajo që shpirtit dhe trupit tuaj në këtë periudhë i përshtatet, kryesisht është edhe e shijshme.
Llojet e ndryshme të sheqerit ndryshe veprojnë në tru. Glukoza, dekstroza, sakroza dhe sheqernat e rafinuar që gjenden në ëmbëlsira hyjnë në enët e gjakut shumë shpejt shkaktojnë prodhimin e tepërt të insulinës, e cila është e nevojshme në mënyrë që sheqeri të hyjë në qelizat e indeve të caktuara.
Pasoja e kësaj është ulja e përnjëhershme e glukozës në gjak apo hipoglikimia, respektivisht rënia e nivelit të sheqerit. Në këtë gjendje, personi e humb përqendrimin, ka oreks të madh, është nervoz dhe i përgjumur.
Për ta penguar këtë, është e nevojshme të konsumoni karbohidratet komplekse që gjenden në pasta, patate dhe oriz. Në këtë mënyrë do të siguroni konsumimin e drejtë të sheqerit, kështu që gjatë tërë ditës, do të ndiheni mirë. Po ashtu, ushqimi i pasur me karbohidrate është i shkëlqyeshëm edhe për sportistë, kështu që nëse keni filluar me ushtrimet, pasta është ushqimi i duhur për ju.
Pemët dhe perimet
Hani shumë pemë dhe perime. Perimet e shëndetshme të gjelbra dhe frutat e shijshme janë të pasura me materie ushqyese dhe antioksidues që luftojnë kundër radikaleve të lira dhe e forcojnë imunitetin. Ai që ha shumë pemë dhe perime është edhe më i shëndetshëm. Nëse gjatë periudhës së ftohtë nuk na mundon teshtima, kolla apo dhimbja në fyt, kjo pozitivisht reflektohet edhe në gjendjen tonë të mirë shpirtërore.
Peshku
Studimet e ndryshme kanë ardhur deri te përfundimi se ata që hanë rregullisht peshk janë më pak të ekspozuar ndaj depresionit sesa që ata që nuk e duan mishin e peshkut. Harenga, salmoni, sardelet, skumbri dhe toni kanë përmbajtje të lartë të acidit yndyror omega-3. Ndryshe nga shumë acide të tjera yndyrore, acidin yndyror omega-3 trupi nuk mund ta prodhojë vetë.
Ananasi
Kjo pemë është e pasur me vitaminë C dhe E dhe materie minerale: kalium, magnez dhe fosfor. Falë amino-acideve triptofan dhe serotoninë, pozitivisht ndikon në gjendjen shpirtërore.
Vitamina B12 dhe acidi folik
Këto vitamina para-pengojnë çrregullimet funksionale të sistemit qendror nervor, siç janë luhatja e gjendjes shpirtërore dhe demenca. Me acid folik janë të pasur fasulet dhe brokoli, por gjithashtu edhe spinaqi, soja, domatja dhe prodhimet nga drithërat integrale. Vitamina B12 para së gjithash gjendet në peshk, mish, vezë dhe prodhime të qumështit.