Një institucion i quajtur Spitali Italian i Syrit në Prishtinë, në fakt nuk është i tillë. Sipas licencës që e posedon nga Ministria e Shëndetësisë, ky institucion është veç një ambulancë specialistike. Inspektorati Shëndetësor e kishte gjobitur me 2 mijë euro dhe ka kërkuar heqjen e reklamës
Në hyrje mban emrin Spitali Italian i Syve, por në fakt nuk është i tillë. Është veç një ambulancë specialistike e oftalmologjisë. Të paktën kështu është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Inspektorati Shëndetësor më datën 19 tetor të këtij viti ka kryer një inspektim në subjektin privat shëndetësor me emër të regjistruar “Klinika Italiane e Syrit”. Në fakt në këtë institucion kryhen shërbime specialistike të oftalmologjisë dhe të njëjtit kanë aplikuar më 16 korrik për licencim si Ambulancë Specialistike e Syrit në Ministrinë e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Por gjatë inspektimit janë evidentuar dy shkelje. E para se institucioni është gjetur duke punuar pa licencë, si dhe mbante reklamën e spitalit. Për të parën është gjobitur me 2 mijë euro, ndërsa të dytën është kërkuar heqja e reklamës por deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“Në mungesë të licencës së punës nga Ministria e Shëndetësisë, subjekti në fjalë është dënuar me gjobë në vlerë prej 2000 (dy mijë) Euro. Sipas informatave te para nga inspektoret e rastit kemi mesuar se menaxheri i këtij institucioni shëndetësor ka kryer obligimet ndaj inspektoratit shëndetësor, si dhe ishte licencuar si ambulancë specialistike e oftalmologjisë”, ka deklaruar kryeinspektori Shaban Osmanaj.
Ai ka konfirmuar urdhërin për të hequr pllakatin ku figuron emri si Spital i Syrit dhe ka thënë se do të bëhet ri inspektim.
“Inspektoret e rastit në momentin e inspektimit e kanë urdhëruar menaxherin e këtij institucioni privat shëndetësor të heq pllakatin në hyrje të këtij subjekti ku figuron si Spital Italian i Syrit. Lidhur me te gjeturat dhe masat që mund të ndërmerren jemi në pritje të përfundimit të procesit të ri inspektimit si dhe përpilimit të raportit nga inspektoret e rastit”, ka thënë Osmanaj.
Në anën tjetër drejtori dhe pronari i këtij institucioni, Egzon Osmanaj, ka thënë për Gazetën Shneta se nuk është në dijeni për urdhërin që të hiqet reklama e Spitalit.
“Nuk jemi të informuar për urdhrin që përmendet në emailin paraprak”, ka deklaruar ai.
Egzon Osmanaj ka thënë se emri zyrtar i institucionit është “Klinika Italiane e Syrit” dhe për momentin ofrojnë vetëm shërbime të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë.
“Institucioni është dhe në fazat fillestare të licencimit për spital. Duke qenë se jemi një institucion shumë i ri ne sektorin privat në Kosovë, ‘funksional’ vetëm që nga muaji Qershor i këtij viti, licencimet kërkojnë kohën e tyre dhe kushtet e tyre specifike”, ka deklaruar Osmanaj. /Gazeta Shneta/