Kryeministri Haradinaj është zotuar se rritja e pagave në shëndetësi do të ndodhë vitin e ardhshëm, ndërsa për këtë vit ka deklaruar se do të “shohim çka mujna me bo”
Kryeministri Ramush Haradinaj është pritur sot në një vizitë nga vartësi i tij, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. Meqenëse dy partitë e tyre, PDK dhe AAK e përbëjnë koalicionin qeverisës, të dy kanë lavdëruar njëri-tjetrin si dhe kanë shprehur falënderime për përkrahjen reciproke.
Ismaili ka deklaruar se janë zotuar së bashku që të bëhet zgjidhja për shëndetësinë, do të rriten pagat dhe do të përkrahet sistemi menaxhues. Sipas tij, shëndetësia do të jetë shumë më mirë sesa ka qenë para se me ardh në këtë pozitë, shkruan Gazeta Shneta.
Haradinaj në anën tjetër ka deklaruar se shëndetësia është prioritet i kësaj Qeverie që nga momenti i formimit. Ai është i bindur se ka seriozitet në punë, mirëpo jo edhe për rezultate.
“Besoj që ka shumë më shumë seriozitet dhe dinamikë, por besoj që rezultatet i marrin periudhat e veta kohore”, ka thënë kryeministri.
Ai sërish i ka quajtur mjekët heronj si dhe i ka lavdëruar për marrëveshjen ndërmjet koalicionit PAN dhe Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë. Por kjo marrëveshje nuk është duke u respektuar dhe nuk pritet të ndodhë deri vitin e ardhshëm.
“Kategorizimi dhe kuotimi do të jenë të respektueshme për mjekët. Vitin e ardhshëm posepo, ndërsa për këtë vit këqyrim çka mujna me bo”, ka deklaruar Haradinaj.
Ismaili dhe Haradinaj kanë folur edhe për mungesën e barnave duke u arsyetuar se po krijohet një sistem stabil i furnizimit. Megjithatë ministri ka deklaruar se furnizimi nuk do të stabilizohet të paktën në 6 mujorin e parë të këtij viti.
E derisa ai premton se pacientët nuk do të varfërohen më nga blerja e barnave, xhepi i shumë prej tyre po zbrazet në mungesë të furnizimit. /Gazeta Shneta/