Fitim Havolli e Enlirat Duraku janë dy infermierë të cilët gjatë pandemisë janë paraqitur vazhdimisht në media duke pretenduar se përfaqësojnë interesat e komunitetit të tyre.
Por të dy shumë shpejt i janë rikthyer politikës. Havolli është rikandiduar për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Duraku ka aderuar nga Partia Fjala në Partinë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Dy infermierët, njëri i Klinikës Infektive e tjetri i Reumatologjisë, patën themeluar një Shoqatë Sindikale të Infermierëve para rreth dy viteve.
Ata pretendonin se Federata e Sindikatave të Shëndetësisë nuk i përfaqësonte denjësisht interesat e infermierëve. Sipas tyre FSSHK ishte e politizuar e madje e quanin “sindikatë të ahengjeve”.
Gjatë pandemisë Havolli e Duraku kanë pas paraqitje të shpeshta në media duke pretenduar se janë përfaqësuesit e vetëm të komunitetit infermieror. Madje Duraku hyri edhe në grevë, por nuk gjeti përkrahjen e kolegëve e madje as vet bashkëthemeluesit Havolli.
Si rezultat Duraku deklaroi se u përjashtua nga Sindikata dhe synoi themelimin e një sindikate tjetër.
Por me rënien e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve, të dy përfunduan në kundërshtarë politikë. Havolli u rikthye në LDK si kandidat për deputet për herë të dytë, ndërsa Duraku aderoi në PDK. /Gazeta Shneta/