Stina e verës dhe temperaturat e larta që e shoqërojnë atë, shtojnë rastet e helmimeve ushqimore. Pasojat janë dehidrimi deri në helmime të shkallës së rëndë, ndonjëherë serioze dhe për jetën e pacientit. Diarreja dhe të vjellat janë shenjat klasike të një helmimi, ndërkohë që kokëdhimbja, dehidrimi, lodhja trupore dhe ethet janë shenjat pasuese të tij.
Imelda Zeqja, mjekje infeksioniste, pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr.3 (ish-Poliklinika Qendrore) në Tiranë, shpjegon se një gjendje helmimi (intoksikacioni) është rast për urgjencë. “Gjatë një gjendjeje intoksikacioni, me vjellje dhe diarre, pacienti humbet një sasi të madhe lëngjesh nga organizmi, të cilat duhen medoemos të zëvendësohen. Një ndjekje ambulatore në këtë rast apo edhe në kushte shtëpie, do të ishtë thjesht e pamundur për shkak se mjekimi bëhet vetëm në rrugë venoze.” E ndërkohë që tregon pasojat se çfarë ndodh nëse mundohemi ta kalojmë në shtëpi, jep dhe këshilla mjaft të vlefshme për një verë pa probleme të traktit gastrointensinal.
Doktoreshë, cilat janë shenjat e një helmimi?
Simptomat ndryshojnë në varësi të llojit të helmimit, sasisë së mikroorganizamave infektive, toksinave, imunitetit të personit etj, por që simptomat klasike janë bark dhe të vjella. Sigurisht kjo pastaj sjell dhimbje koke, dobësi, dehidratim, ethe etj. Pra në varësi të shkallës së intoksikacionit, përcaktohen edhe shenjat.
Cilët janë ushqimet nga të cilat duhet të kemi më tepër kujdes?
Duhet të kemi kujdes nga të gjitha ushqimet, sidomos tani në verë. Megjithatë bulmetrat, peshku, prodhimet e detit, veçanërisht veza etj kanë prirje më të lartë për helmim. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se çdo produkt ushqimor duhet të plotësojë disa kushte higjienike, termike që të konsumohet.
Sa ndikon higjiena?
Higjiena sigurisht që ndikon. Një ushqim që nuk është në kushtet e duhura higjienike duke shtuar këtu edhe temperaturat e larta, ka shumë prirje për helmim. Kështu që higjiena duhet të jetë maksimale. Çdo ushqim gjatë verës duhet të ruhet në kushte frigoriferike, duke filluar që nga ato më të ndjeshmet, sikurse janë akulloret të cilat konsumohen shumë në këtë periudhë të nxehtë, ëmbëlsirat e ndryshme nëpër pastiçeri etj.
Cila është ndihma e parë që duhet të marrë një pacient me helmim?
Helmimi futet në patologjitë e urgjencës dhe personi arrin ta dallojë që është helmuar menjëherë sapo fillojnë shenjat e para. Nëse këto shenja fillojnë në 30 minutëshin e parë, gjendja është edhe më kritike, sepse sa më afër marrjes së ushqimit të shfaqen shenjat, aq më agresiv është dhe helmimi.
Çfarë pasojash sjell në shëndet nëse mundohemi ta kalojmë në kushte shtëpie?
Dehidrim dhe zgjatje të periudhës së rikuperimit. Dehidrimi është shumë problem në këtë periudhë të nxehtë, edhe pa pasur një gjendje helmimi. Ne gjithmonë i rekomandojmë pacientët tanë të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe mos të ekspozohen në temperatura të larta.
Në momentin që një pacient vjell dhe ka diarre, humbet një sasi të madhe lëngjesh të organizmit që duhet të zëvendësohen patjetër. Ndjekja ambulatore apo në shtëpi, është thuajse e pamundur pasi ai pacient gjithçka që merr, qoftë lëng, qoftë mediakament, e nxjerr. Kështu që detyrimisht është situatë për urgjencë, sepse i gjithë mjekimi bëhet përmes rrugëve venoze (me serum) e cila realizohet vetëm në kushte spitalore, jo në qendra shëndetësore, jo në poliklinika, e aq më pak në shtëpi.
Sa zgjat zakonisht periudha e intoksikacionit?
Zakonisht periudha e parë (me bark dhe vjella) në varësi dhe të gravitetit të intoksikacionit, por edhe imunitetit të personit se si e suporton, zgjat një ose dy ditë. Duhet pak kohë që personi ta marrë veten plotësisht.
Pse disa persona sëmuren dhe disa jo, edhe pse konsumojnë nga i njëjti ushqim?
Varet se në çfarë pjese ndodhet mikrobi/bakteri që e ka kontaminuar këtë ushqim. Përfytyrojmë për shembull një tortë. Nëse ajo nuk është kontaminuar e tëra, një pjesë do të sëmuret, një pjesë jo, por nëse është kontaminuar e gjitha, të gjithë do sëmuren, pavarësisht se dikush më lehtë e dikush më rëndë, kjo varet pastaj nga sasia e ushqimit që mund të ketë konsumuar dhe imuniteti i gjithsecilit si e përballon.
A duhet të shkojë çdo rast me intoksikacion në urgjencë?
Në varësi dhe të rëndesës, çdo person me gjendje helmimi duhet të paraqitet tek mjeku për të marrë mjekim apo qoftë dhe një këshillë. Pastaj është rast për urgjencë apo rast që mund të menaxhohet edhe në shtëpi, e vendos mjeku specialist.
Këshilla, çfarë duhet të kemi kujdes këtë verë?
Në këtë periudhë të nxehti, evitoni sa më shumë daljen në oraret e drekës.
Konsumoni sa më shumë lëngje, sidomos ujë, është hidratuesi më i mirë.
Kujdes me ushqimet, veçanërisht me ato që i dimë që kanë më tepër risk. Në momentin e parë që vëreni shenja helmimi, konsultohuni me mjekun, jo direkt në farmaci.
Kujdes me ujin e pijshëm. Nëse konsumoni ujë rrjeti (çesme), ziejeni, pasi uji ka mikroorganizma që japin probleme të traktit gastrointensinal. Kjo vlen për çdo periudhë të vitit, por detyrimisht në verë është më e theksuar./Gazeta Shëndeti/