Ahmad Zekerija nga qyteti Homs në Siri është duke qëndruar i shtrirë që 2 muaj në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Ai pësoi lëndime në këmbë në momentin që hyri në Kosovë dhe tani dëshira e tij është që të vazhdojë udhëtimin për në vendet e Evropës perëndimore
23-vjeçari, Ahmad Zekerija nga qyteti Homs në Siri ka ikur nga vend ii tij për shkak të luftës. Në territorin e Kosovës hyri ilegalisht në fund të muajit shkurt. Ai lëndoi këmbët pasi kërceu nga një lartësi sapo hyri në Kosovë.
Që nga ajo kohë, ai është i shtirë në Klinikën e Ortopedisë në Prishtinë.
“Kam ikur nga Siria për të kërkuar një vend më të sigurt, ku gjej punë edhe ku kam një jetë të rehatshme. Nuk kam pasur ndonjë synim që të shkoj në ndonjë vend të caktuar, vetëm kam dalë të kërkoj një vend ku mund të gjej punë dhe e ndiej veten të sigurt dhe familja ime e ndjen sigurinë time”, tregon ai.
Larg familjes, ai është duke agjëruar Ramazanin. Ai thotë se kujdesi i stafit mjekësor ka bërë që ai të mos ketë frikë nga koronavirusi. Ëndrra e tij ishte të studionte ndërtimtari, por nuk ka në plan të kthehet të vazhdojë studimet në vendlindjen e tij.
Momentalisht nuk jam duke menduar që të kthehem në Siri, nuk kam siguri nëse kthehem atje. Në qytetin ku jam rritur nuk ka luftë, por nuk ka siguri për të rinjtë”, thotë ai.
Që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, në Kosovë kanë hyrë rreth 670 imigrantë. Ata e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit në rrugën e tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore.