Hoxhë Shefqet Krasniqi sfidon kirurgët plastikë, thotë se disa operacione janë haram

2021-06-07 në ora 15:55

Hoxhë Shefqet Krasniqi ka sfiduar mjekët e lëmisë së kirurgjisë plastike të cilët merren me ndërhyrje estetike.

Hoxha ka interpretuar kirurgjinë plastike në aspektin fetar islam duke thënë se disa prej tyre janë të lejuara, por disa të tjera nuk lejohen për shkak të ndryshimeve në trupin e njeriut.

“Operacionet plastike të domosdoshme janë të lejuara: Shembull, dikush e ka hundën e devijuar që i pengon edhe në frymëmarrje, detyrohet të bëjë operacion. E dyta nëse dikush ka shëmtim të tepërt dhe njerëzit e perceptojnë keq, por që nuk i pengon në shëndet si shembull, hundë shumë të madhe apo vesh shumë të kthyer, nuk është e ndaluar të ndërhyhet”, ka thënë Krasniqi.

Megjithatë Krasniqi thotë se operacionet plastike që sot aplikojnë VIP-at janë të ndaluara. Ai ka thënë se haram është edhe tatuazhi. “Me tatuazh tip o e ndryshon pamjen që të ka dhënë Zoti, dhe kjo është prej mëkateve të mëdha”, tha ndër të tjera Shefqet Krasniqi.

Ndërkaq mbjellja e flokëve sipas Krasniqit nuk është e ndaluar me rregullat e fesë islame.

“Mbjellja e flokëve nuk është e ndaluar sepse flokët më parë kanë qenë në kokë. Çdo gjë që kthehet në origjinalitetin e saj nuk është e ndaluar. Floku ka qenë, ka rënë dhe është rikthyer. Kjo nuk e ndryshon pamjen që ta ka dhënë Zoti”.

Krasniqi ka thënë se mbjellja e flokëve mund të jetë analoge me rivendosjen e ndonjë pjese të veshit pas ndonjë aksidenti.

“Njeriu mund të pësojë ndonjë aksident komunikacioni dhe i këputet veshi. Nuk ka asgjë të keqe nëse ai vesh montohet dhe rikthehet”, ka thënë Krasniqi në RTK.