Humbja e dëgjimit te fëmijët, si mund të parandalohet?

2017-04-27 në ora 12:49

Njerëzit me humbjen e dëgjimit mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit, implantet kokleare dhe pajisje të tjera ndihmëse, si: ilustrimi, gjuha e shenjave dhe forma të tjera të mbështetjes sociale

Pjesa më e madhe e shkaqeve të humbjes së dëgjimit te fëmijët, mund të parandalohen. Dita Botërore e Dëgjimit organizohet çdo vit në 3 mars në shumë vende të botës dhe ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e shëndetit të dëgjimit.

Çdo vit trajtohet një çështje e caktuar. Në vendin tonë në bazë të Censusit të vitit 2011, janë 39 mijë persona që nuk dëgjojnë. Në këtë grup përfshihen personat që nuk dëgjojnë, personat që kanë dëgjim të pjesshëm dhe personat që e kanë humbur dëgjimin në një moshë të madhe. Por realisht, persona që nuk dëgjojnë nuk dihet se sa janë në Shqipëri.

Sipas të dhënave 360 milionë njerëz në mbarë botën kanë humbje të dëgjimit, prej të cilëve 32 milionë janë fëmijë, që në 50 % të rasteve mund të parandalohet. Humbja e dëgjimit mund të rezultojë nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatë lindjes, disa sëmundje infektive, infeksione kronike të veshit, përdorimi i disa mjekimeve specifike, si dhe ekspozimi në një ambient të zhurmshëm.

Rreth 50% e gjithë rasteve me humbje të dëgjimit mund të shmangen nëpërmjet parandalimit parësor. Njerëzit me humbjen e dëgjimit mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit, implantet kokleare dhe pajisje të tjera ndihmëse, ilustrimi, gjuha e shenjave dhe forma të tjera të mbështetjes sociale.

Shkaqet

Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të ndahen në shkaqe të lindura dhe të fituara. Shkaqet e lindura çojnë në humbje të dëgjimit që në lindje. Ato mund të jenë gjenetike ose si pasojë e komplikacioneve që nëna mund të ketë gjatë shtatzënisë dhe lindjes, të tilla si: infeksionet gjatë shtatzënisë si rubeola dhe sifilizi. Lindja me peshë të vogël.

Asfiksia në lindje. Përdorimi gjatë shtatzënisë i disa medikamenteve të ndaluara, si: aminoglukosidet, citostatikёt, preparatet kundër malaries dhe diuretikёt. Ikteri (verdhëza) i shprehur në periudhën neonatale, mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një të porsalindur.

Ndërsa si shkaqe të fituara, të cilat mund të çojnë në humbje të dëgjimit janë: sëmundjet infektive si meningjiti, fruthi dhe shytat; infeksionet kronike të veshit (otitis media me efusion) si dhe përdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike; dëmtimet traumatike të kokës dhe veshit; zhurmat ekstreme, përfshirë zhurmat në ambientin e punës nga makineritë apo shpërthimet, zhurmat në ambientet ku jetojmë dhe frekuentojmë (bare, klube nate etj.); bllokimi i kanalit të veshit me dyllë apo me trupa të huaj. Te fëmijët, otiti media kronik mbetet shkaku kryesor i humbjes së dëgjimit.

Ndikimi

Një nga ndikimet kryesore që humbja e dëgjimit ka tek individi është paaftësia komunikuese me të tjerët. Te fëmijët me shurdhësi, zhvillimi i të folurit është i vonuar. Humbja e dëgjimit dhe sëmundjet e veshit, të tilla si otiti media, kanë efekte negative në performancën e fëmijëve në shkollë. Humbja e dëgjimit çon në kufizim të aksesit për shumë shërbime.

Gjithashtu, përjashtimi nga komuniteti ka një ndikim domethënës në jetën e përditshme duke krijuar ndjenjën e vetmisë, izolimit dhe nënshtrimit, veçanërisht tek individët e rritur. Nëse një fëmije me shurdhësi të lindur nuk i jepet mundësia të mësojë gjuhën e shenjave që në fëmijëri, ai/ajo do të ndihet i përjashtuar nga ndërveprimet sociale.

Parandalimi

Rreth 50 % e rasteve me humbje të dëgjimit mund të parandalohen nëpërmjet:

-Vaksinimit të fëmijëve ndaj sëmundjeve të fëmijërisë, si: fruthi, rubeola, meningjiti dhe shytat;

-Vaksinimit të vajzave adoleshente dhe në moshën riprodhuese ndaj rubeolës, përpara shtatzënisë;

– Testeve depistuese për sifilizin dhe sëmundje të tjera infektive gjatë shtatzënisë;

– Përmirësimit të kujdesit ante dhe perinatal, duke përfshirë praktika të testit të dëgjimit që në lindje;

– Diagnostikimit të hershëm të fëmijëve me otit media dhe marrja e trajtimit të duhur për këtë diagnozë;

– Shmangies së përdorimit të disa medikamenteve që shkaktojnë humbje të dëgjimit, me përjashtim të rasteve të dhëna nga specialisti i cili monitoron gjendjen dhe ecurinë e mjekimit;

– Referimit të hershëm të foshnjave me rrezik të lartë për shurdhësi, te specialisti;

– Reduktimit të ekspozimit ndaj zhurmave të larta nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit ndaj këtyre rreziqeve, forcimit të legjislacionit lidhur me emetimin e zhurmave të forta dhe kushtet në vendin e punës, inkurajimit dhe nxitjes së individëve për të përdorur pajisje mbrojtëse për zhurmat si tapa veshësh apo kufje që i reduktojnë zhurmat etj.

Foshnjat me rrezik të lartë janë ato që kanë në historinë familjare raste me shurdhësi, kanë lindur me peshë të vogël, me asfiksi në lindje, ikter ose meningjit./mapo/