Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka lëshuar komunikatë për kujdes ndaj rreziqeve që mund ti kanosej qytetarëve nga bakteri Leptospiroza.
Ndër të tjera ata kanë sqaruar opinonin në lidhje me sëmundjen, mënyrën e bartjes tek njeriu, shenjat klinike dhe masat parandaluese transmeton Gazeta Shneta.
Më poshtë keni njoftimin e lëshuar nga IKSHPK-ja:
Kujdes ne ambiente me pellgje uji afër kullotave sepse mund të sëmureni nga leptospiroza, sëmundje bakteriale e cila bartet te njeriu kryesisht nëpërmjet lëkurës së dëmtuar.
Këtë muaj në laboratoret e Institutit Kombëtar është izoluar shkaktari i sēmundjes dhe ekziston mundësia e shfaqjes së rasteve të reja.
Burimi kryesor janë minjtë, por edhe gjedhët, qentë, etj. Leptospirat hyjnë përgjithësisht në organizmin e njeriut nëpërmjet lëkurës së dëmtuar, por si portë hyrjeje mund të shërbejnë edhe sytë, gryka, hunda dhe mushkëritë.
Rrezikshmëri të lartë kanë edhe punëtorët që hapin kanale, punëtorët e minierave, veterinerët, personeli mjekësor (kryesisht ata që punojnë në laboratorë).
Periudha nga moment i infektimit e deri në shfaqjen e shenjave klinike shkon afërsisht 10 ditë.
Fillimi është i menjëhershëm me ethe të forta dhe temperaturë të lartë, me dhimbje koke, dhimbje prapa syve, të vjella, djersitje të shtuar.
Mjaft e shprehur është edhe dhimbja e barkut që mund të ngjasojë me një urgjencë kirurgjikale. Qysh në fillim mund të shfaqet zverdhja, por edhe fenomenet hemorragjike në lëkurë dhe në mukoza.
Masat parandaluese
-Edukimi shëndetësor i popullatës, veçanërisht ata që merren me kafshët, për rreziqet që paraqesin këto infeksione.
-Këshillohet që të mos notohet në pellgje me ujë që nuk rrjedh.
-Përdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë kujdesit me bagëtitë apo gjedhët si për shembull veshje, çizme, doreza, maska. Imunizimi i kafshëve mund të parandalojë sëmundjen e tyre, por jo nëçdo rast.
-Këshillohen kontrollet periodike nga veterinerët.
Kafshët mund të jenë burim infeksioni për njeriun duke mbajtur në veshkat e tyre leptospirat që i eliminojnë me urinën, edhe pa qenë të sëmura. Për njerëzit që janë më shumë të ekspozuar, në shumë vende të botës realizohet imunizimi i tyre (Itali, Spanjë, Japoni etj).
Rastet me leptospirozë detyrimisht duhet të raportohen në Institutin Kombëtar.
Duhet të kontrollohen vatrat për rreziqet e mundshme të popullatës sidomos për mundësinë e kontaminimit të ujërave. Pellgjet me ujë duhen dezinfektuar dhe drenuar (t’u sigurohet rrjedhje e mundshme), sidomos kur janë pranë zonave të kullotave.
Duhet të kontrollohen dhe të zhduken brejtësit, sa herë që shfaqen në banesat dhe në kampingjet e pushimeve. /Gazeta Shneta/