Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka ndryshuar strategjinë për testimin e personave dhe kontakteve të tyre për Covid-19.
Me rritjen e numrit të rasteve pozitive në dy javët e fundit, IKSHPK në bazë të rekomandimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra për Kontrollimin e Sëmundjeve Ngjitëse në SHBA, ka vendosur që të bëj testimin vetëm për personat që shfaqin shenja ose simptoma të virusit korona, shkruan Gazeta Shneta.
IKSHPK ka përkufizuar simptomat e Covidit, ku ndër të tjera si indikacion për testim është vendosur edhe humbja e shijes e cila nuk ka qenë më parë.
“Pacientët me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërin këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymëzënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shijes së nuhatjes), ageusia (shijes) ose imazheri radiologjike që tregojnë lezione kompatibile me Covid-19”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Shneta.
IKSHPK rekomandon poashtu testimin e personave që kanë histori udhëtimi nga vatrat ku është përhapur viruri gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave, ose kontaktet e ngushta në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave.
Në pikën 3 të këtij dokumenti, IKSHPK ka përcaktuar që stafi shëndetësor të testohen vetëm kur kanë shenja ose simptoma të infeksionit ose personeli i cili ka pasur kontakt të pambrojtur me persona të konfirmuar me Covid-19.