Infeksionet urinare shënojnë pikun e shfaqjes së tyre gjatë stinës së verës, dhe ky problem prek më tepër gratë në moshë të re. Sipas studimeve infeksionet urinare prekin më shpesh gratë me moshë 18-44 vjeçare. Sipas “Live science”, në shfaqjen e infeksionit urianar ndikon edhe dehidratimi, marrëdhëniet seksuale të cilat gjatë stinës së verës kanë tendencën të kryhen më shpesh, higjena jo e mirë etj.
Si është gjendja në vendin tonë?
Në lidhje me këtë problem ka folur edhe mjeku kirurg urolog, Gjergji Semini për News 24 i cili ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me shfaqjen e infeksioneve urinare. Gjatë edicionit informative ai është shprehur se një problem i tillë shëndetësor konsiderohet si armiku i stinës së verës duke qënë se shënon rastet më të shpeshta në këtë stinë.
Ai flet për nevojën e ndjekjes së një higjene të mirë dhe kjo duhet të jetë edhe më e mirë sidomos gjatë frekuentimit të plazheve. Rrezik nuk duhet të konsiderohen vetëm tualetet por edhe baret ku ulemi çdo ditë. Duke qënë se rreziku është më i lartë tek gratë, ato duhet të veshin gjithmonë rroba banjoje të thata, pasi gjatë kontaktit me copën e lagur të tyre, pH vaginal ndryshon, pra do të ishte mirë të ndërroheshin pas larjes në det apo pishinë.
Një tjetër faktor rreziku për të është kryerja e marrëdhënieve seksuale ndërsa nuk është urinuar para. Femrat janë më të rrezikuara për t’u prekur nga infeksionet e traktit urinar sepse gjatësia e uretrës është më e vogël se tek meshkujt dhe kështu mikrobi shkon më shpejt brenda organizmit të tyre.
Në mbyllje ju këshillojmë të konsumoni rreth 2 lt ujë në ditë nëse jeni femër dhe 3 lt ujë nëse jeni mashkull.