Infermierë, laborantë dhe stafi mbështetës të cilët u punësuan gjatë pandemisë me kontrata të përkohshme vitin e kaluar, kanë kërkuar sërish të rikthehen në punë.
Këta punëtorë shëndetësorë kanë bërë publike një letër të cilën ia kanë drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia. Ata thonë se ishin të gatshëm të kontribuonin përkundër sfidave dhe rrezikut nga infeksioni, transmeton Gazeta Shneta.
“Gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 kur u ftuam të angazhohemi, përkundër sfidave dhe rrezikut me të cilat përballeshim do dita, ne ishim të gatshëm dhe ju përgjigjem pozitivisht kësaj thirrje duke kryer detyrat dhe përgjegjësitë tona me nivel të lartë të profesionalizmit. Gjithë këtë angazhim e bëmë me dëshirën më të madhe, dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë ta bëjmë prapë”, thuhet në letrën e tyre.
Ata kanë bërë thirrje që të rishikohet vendimi për mosvazhdimin e kontratave të tyre, pasi numri i të infektuarve po rritet dhe janë të gatshëm të rikthehen në punë për t’u kujdesur për pacinetët.
“ I nderuar Kryeministër, i nderuar Ministër siç e dini edhe ju QKUK-ja dhe Spitalet Regjionale po përballen me një mungesë të jashtëzakonshme të stafit, dhe numri i te infektuarve po rritet çdo ditë, duke u bazuar në këto mungesa dhe në dëshirën, vullnetin dhe gatishmërinë tonë që ne të kontribuojmë në vendin tonë”, thuhet më tej.
“Ju lusim shumë të rishikoni edhe njëherë vendimin tuaj, dhe na mundësoni të punojmë prapë sepse ne jemi të gatshëm që prapë të kontribuojmë për vendin tone. Shumica nga ne kemi punuar për një periudhe një vjeçare, jemi të përgatitur dhe e njohim punën që duhet bërë”, thuhet në letrën e infermierëve. /Gazeta Shneta/