Një infermiere e Klinikës së Pulmologjisë në mënyrë anonime ka folur për REL për kushtet në të cilat po punojnë me pacientët me Covid-19.
Infermierja Ariana (emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) kujdeset për reth 30 pacientë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.
Pacientët janë në oksigjenoterapi. Ariana kujdeset për ta edhe në kohën kur ka mungesë të materialit mbrojtës dhe kur numri i personelit mjekësor, të infektuar me koronavirus, është në rritje.
Rrëfimi i infermieres së Pulmologjisë që kujdeset për 30 pacientë me COVID-19: Nuk kemi as dorëza
“Janë 31, 32 pacientë dhe për ta, për shembull gjatë një ndërrimi, duhet të kujdesen vetëm dy teknikë ose infermierë. Kjo është shumë e vështirë”, thotë Ariana për Radion Evropa e Lirë.
“Nëse ndërrimi i natës fillon të japë terapinë në orën 19:00, ajo nuk përfundon deri pas orës 2:00 të mëngjesit, derisa ka edhe raste që në vazhdimësi duhet t’iu qëndrosh pranë”, tregon Ariana.
“Dorezat janë në mungesë. Ato që i kemi ose janë numra të vegjël ose të mëdhenj dhe na pengojnë gjatë punës. Kemi [edhe] mungesë të manteleve mbrojtëse”, thotë ajo.
Për më tepër, thotë Ariana, stafi mbështetës që është zhvendosur nga klinikat e tjera në Pulmologji, nuk ka as ku t’i ndërrojë rrobat e të bëhet gati për të hyrë në klinikë.
“Ka raste kur teknikët vishen në veturat e tyre. Dhomat e mjekëve ose motrave (infermiereve) janë të mbyllura për ta”, thotë Ariana.
Për të është e pakuptueshme se si menaxhmenti i Klinikës së Pulmologjisë dhe i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është duke u kujdesur më shumë për rritjen e stafit mjekësor, sidomos në Pulmologji.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Evropa e Lirë.