Inspektorati i Punës i ka dhënë disa vërejtje QKUK-së për menaxhimin dhe organizimin e punës brenda Klinikës së Kardiologjisë.
Inspektorati i Punës ka dal me një raport ku ka rënditur disa vërejtje në menaxhimin dhe organizimin e punës në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Në këtë raport të cilin e posedon Gazeta, thuhet se orari i punës në klinikë nuk respektohet nga një numër i mjekëve të cilët hyrjet e daljet nuk i kanë të rregullta sipas orarit zyrtar. Në raport thuhet se përkundër se ka parregullësi në vijueshmëri, në raportin e klinikës janë evidentuar nga tetë orë punë për specialistët.
Në vërejtjen e dytë, Inspektorati ngrit çështjen e ambulancës specialistike ku sipas raportit disa mjekë nuk punojnë fare në ambulancë dhe se menaxhmenti nuk ka dhënë ndonjë arsyetim pse janë të liruar.
Poashtu sipas Inspektoratit, një numër i kardiologëve janë të liruar nga mbajtja e kujdestarive, ndërsa konstatohet se drejtori i klinikës e vendos emrin e tij për kujdestari më së shpeshti gjatë vikendeve.
“U konstatua se qëndron pretendimi i cekur në ankesë së Drejtori i Klinikës ka të mbajtura kujdestari gjatë ditëve të fundjavës, në periudhën kur pagesa për kujdestari është më e lartë”, thuhet në raport.
Tutje raporti thotë se pushimet mjekësore për disa prej mjekëve lejohen në bazë të vetëm një raporti mjekësor, pa u respektuar procedurat e rregullta të pushimit mjekësor.
Inspektorati krejt në fund ka kërkuar nga QKUK që brenda 15 ditësh të ndërmarr veprim në përmirëismin e vërejtjeve.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Lulzim Kamberi, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje përmes postës elektronike.
Kujtojmë se në Klinikën e Kardiologjisë së fundmi është rikthyer shërbimi i kardiologjisë invazive, me plotësimin e Statutit të QKUK-së nga ministri Rifat Latifi. Për këtë vendim të Latifit ka pasur pakënaqësi në mesin e kardiologëve invaziv, të cilët madje kanë refuzuar të punojnë nën menaxhmentin e ri. /Gazeta Shneta/