Shumë shkelje janë gjetur nga inspektorët shëndetësor gjatë inspektimit dhe bastisjes që kanë kryer dje bashkë me Policinë e Kosovës në Spitalin “Bahceci” ku u arrestuan katër persona.
Inspektorja përgjegjëse në Inspektoratin Shëndetësor Dr. Nora Krasniqi, ka deklaruar për Gazetën Shneta se gjatë inspektimit është gjetur një numër i madh i shkeljeve dhe mos respektim i Ligjit për shëndetin riprodhues dhe Udhëzimit Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor.
Krasniqi ka deklaruar se për këto shkelje do të mund të flas vetëm pasi të përmbyllet raporti i inspektoreve që kanë marr pjesë në inspektim. Krasniqi nuk ka pranuar të jap informacione nëse është mbyllur reparti i IVF-së në këtë klinikë për shkak të ndjeshmërisë.
Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar më herët se ka arrestuar katër persona në këtë spital nën dyshimin për veprat penale transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore’ dhe ’bashkëkryerje.
“Bazuar në informatat dhe hetimet e realizuara nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) me datën 16.05.2019 është realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me kontrollimin e një klinike private në rajonin e Prishtinës dhe me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar për kryerje të veprave penale: ‘transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore’, ‘bashkëkryerja’”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Gazeta Shneta/