Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që disa ditë është duke bërë thirrje për marrjen e masave dhe reduktimin e orarit të punës për shërbimet jo-esenciale.
IKSHPK gjatë ditës së sotme ka raportuar 730 raste të reja pozitive me Covid dhe gjashtë viktima. Për të parandaluar rritjen e shifrave, Instituti ka rekomanduar edhe marrjen e pesë masave, shkruan Gazeta Shneta.
Ndër rekomandimet e IKSHPK-së është edhe kufizimi i punës për bizneset jo-esenciale gjatë ditës.
– Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
– Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
– Ndalimi rigoroz i tubimeve;
– Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
– Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
“IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve”, thuhet në thirrjen e IKSHPK-së.
Në anën tjetër kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe ministri Armend Zemaj, gjatë ditës së sotme sërish kanë thënë se vaksinat do të vijnë gjatë këtij muaji.
“Tash, jemi në fazën finale të kësaj pandemie në bazë edhe të vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare lidhur me këtë pandemi. Për disa javë ne presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv bazuar në strategjinë e imunizimit që tashmë është përgatitur, të gjitha përgatitjet janë bërë në këtë drejtim”, ka deklaruar Hoti.
Sipas Hotit vonesa e sigurimit të vaksinave ka ndodhur për shkak se nuk kanë pranuar të marrin vaksina me origjinë të dyshimtë nga vendet e lindjes dhe që nuk janë të certifikuara në BE. /Gazeta Shneta/