Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është furnizuar sot me 6 mijë e 500 teste përmes një donacioni nga shteti i Katarit. Përveç testeve, ky shtet e ka ndihmuar Kosovën edhe me 6 respiratorë. Në IKSHPK pritet të dorëzohen edhe afër 3 mijë teste RT PCR të blera nga MSH
Organizata ‘Qatar Charity’ ka bërë sot dorëzimin e 6 mijë e 500 testeve RT PCR dhe 6 respiratorëve në vlerë rreth 270 mijë euro. Dorëzimi është bërë nga ambasadori i Katarit Ali bin Hamad Al-Marri, ndërsa është pranuar nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHPK-së Prof. Naser Ramadani, shkruan Gazeta Shneta.
Zemaj e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e shtetit të Katarit, vend ky i cili ka ndihmuar Kosovën që nga pas lufta me donacione milionëshe.
Por përveç testeve që janë dhuruar sot, IKSHPK do të furnizohet edhe me teste të blera nga Ministria e Shëndetësisë.
Operatori ekonomik “Interlab” që ka bërë dorëzimin e testeve sot nga donacioni i ‘Qatar Cherity’, ka deklaruar për Gazetën se është në pritje të urdhërblerjes nga MSH për dorëzimin edhe të testeve tjera nga kontrata kornizë të cilën e ka nënshkruar në muajin maj.
“Ne kemi në gjendje edhe 2925 teste me material shpenzues përcjellës dhe jemi në pritje të urdhërblerjes nga Ministria e Shëndetësisë për 30 për qind shtesë të kontratës, në mënyrë që të bëjmë furnizimin këtë javë”, thuhet në një përgjigje të përfaqësuesit të kompanisë Betim Sadriu.
Sadriu ka njoftuar se afër 10 mijë teste janë dorëzuar në muajin maj pas nënshkrimit të kontratës. Kjo kompani poashtu ka fituar kontratë edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, përmes së cilës kanë furnizuar IKSHPK-në me një pajisje për ekstraktimin automatik.
“Më datën 19.06.2020 përmes kontratës me World Health Organization ne kemi kryer furnizimin në IKSHPK të një ekstraktuesi automatik të teknologjisë së fundit nga prodhuesi PROMEGA dhe 2400 kiteve për ekstraktim. Ky instrument bënë ekstraktimin e 96 mostrave në vetëm 1 orë”, thuhet në përgjigjen e Sadriut, i cili ka shtuar se do të bëjnë trajnimin e stafit të IKSHPK-së për përdorimin e kësaj pajisje.
Kjo kompani ka të nënshkruar edhe një kontratë ne MSH-në për 30 respiratorë, të cilët ende nuk janë dorëzuar në QKUK. /Gazeta Shneta/