Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në këto momente nuk është duke testuar asnjë mostër të dyshuar me koronavirus.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e IKSHPK-së Era Pireva. “Nuk ka asnjë mostër në punë”, është përgjigjur Pireva kur është pyetur nga Gazeta Shneta nëse do të publikohet ndonjë rezultat.
Ndërkaq në këto momente është duke vazhduar një konferencë live e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ku po bëhet thirrje që të shtohet numri i testeve.
Drejtori ekzekutiv i OBSH-së Mike Ryan ka bërë thirrje që të ketë sa më shumë gjurmim të kontakteve të rasteve të konfirmuara dhe të testohen të gjithë të dyshuarit me analiza laboratorike.
Kujtojmë se në Kosovë janë të prekur nga koronavirusi 20 persona nga tetë komuna të ndryshme. Rasti i fundit është nga Podujeva, kontakt i rastit të parë. /Gazeta Shneta/