Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka publikuar rezultatet e testimeve për koronavirus gjatë ditës së sotme ku pozitiv ka rezultuar vetëm një rast nga komuna e Vushtrrisë.
Instituti nuk ka deklaruar nëse ka ndonjë person të shëruar ditën e sotme, ndërkaq një rast vdekje që ka ndodhur sot nga Zubin Potoku nuk është përfshirë në rezultatet e sotme, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi nga IKSHPK:
Sot më 21 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 145 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Me SARS-CoV-2, është konfirmuar 1 rast.
Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Vushtrri).
Nga data 08 shkurt deri më 21 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 12.551 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.004 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.