Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të SHSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi, është zotuar se do të marr masa ndaj të gjithë zyrtarëve të këtij institucioni për të cilët është konstatuar se kanë shkelur ligjin ose kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Krasniqi ka folur për gjendjen me pandeminë dhe menaxhimin e SHSKUK-së. Krasniqi ka thënë se janë duke u përgatitur për vjeshtë për të siguruar oksigjenin, si dhe për të funksionalizuar në tërësi objektin e mjekësisë sportive si intensivë për personat e sëmurë rëndë me Covid-19.
Krasniqi ka thënë se deri më tani në SHSKUK, vetëm në QKUK ka pasur të instaluar tank të oksigjenit të lëngshëm dhe tani është bërë një riinstalim ku një tank 10 mijë litra është hequr për t’u instaluar në Spitalin e Prizrenit ndërsa në QKUK është instaluar një tjetër me kapacitet 20 mijë litra.
Në anën tjetër Krasniqi ka folur për menaxhimin e SHSKUK-së. Ai ka thënë se do të kërkojë raporte dhe evidenca për të gjitha shkeljet ligjore që janë bërë në tri vjetët e fundit. Krasniqi është zotuar se do të ndërmarr masa për të gjithë zyrtarët që kanë bërë shkelje.
Krasniqi është pyetur për raportet e auditorit të brendshëm i cili ka evidentuar shkelje të rënda në rekrutimin e dhjetëra personave në pozita menaxheriale dhe jo menaxheriale. Poashtu për organogramin i cili ishte miratuar nga Bordi i kaluar, por jo edhe nga ministri ashtu sikurse e parasheh statuti i SHSKUK-së. Ndërkaq në bazë të këtij organogrami janë lidhur dhjetra kontrata.
Krasniqi ka thënë se do të ketë një riorganizim në bazë të organogramit të ri i cili do të miratohet edhe nga ministri i Shëndetësisë dhe në bazë të tij, do të shuhen edhe pozitat e jashtëligjshme.
Krasniqi është pyetur edhe për rastin e Kardiokirurgjisë. Ai ka thënë se gjithçka që ka ndodhur është vepruar me tendencë nga ana e drejtorit të klinikës Dr. Tefik Bekteshi. Krasniqi ka thënë se në rastin e Bekteshit i cili është i dënuar nga Oda e Mjekëve, do të merren masa konform rregulloreve të punës së SHSKUK-së.
Ndiqeni intervistën e plotë në videon më poshtë. /Gazeta Shneta/